Vllaznia, hap fals në Vlorë
Vllaznia humbet shansin për t‘u ngritur në vendin e tretë në klasifikim. Skuadra e teknikut Mirel Josa nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim të vuajtur 2-2 në fushën e Flamurtarit, madje në shumë momente është dukur inferiore përballë bregdetarëve. Vendasit kanë shënuar të parët me Mate Brajkoviç, i afruar në kontingjentin e trajnerit Memushi gjatë merkatos së janarit. Pas 13 minutave, ai ka përfituar nga hapësirat në mbrojtjen shkodrane dhe ka përshëndetur rrjetën. Megjithatë, avantazhi i vlonjatëve ka zgjatur vetëm 15 minuta, pasi Vioresin Sinani solli baraspeshën. Me këtë rrjetë sulmuesi shkodran ngjitet në kuotën e 14 golave, duke kryesuar i vetëm klasifikimin për golashënues. Përpara pushimit mes pjesëve, ka qenë sërish Brajkoviç që shënon, duke ngritur peshë entuziazmin e tifozëve të pranishëm në stadium, që kanë sfiduar të ftohtin e madh. Shifrat finale të kësaj sfide janë vulosur nga Gilman Lika, në minutën e 55-të: lojtari i kombëtares Shpresa ka shënuar në portën e Moçkës, duke i dhënë një pikë me shumë vlera Vllaznisë.
Në takimin tjetër të së dielës, atë ku Besa ka pritur Shkumbinin, është arritur një tjetër rezultat shumë i rëndësishëm për klasifikimin. Fitorja minimale e të besuarve të Starovës me golin e kapitenit Parid Xhihani i ka ngjitur kavajasit në kuotën e 31 pikëve. Pas gabimeve të shumta në kampionat, tashmë verdhezinjtë i shohin më nga afër rivalët direkt për një vend në kupat e Evropës. Partizani i vendit të dytë është 5 pikë larg, ndërsa Tirana dhe Elbasani që mbajnë vendin e tretë, vetëm 2 pikë.
e. kodheli
Java 20
Rezultatet
Besa-Shkumbini 1-0
Xhihani 11‘
Flamurtari-Vllaznia 2-2
Brajkoviç 13‘, 37‘ / Sinani 28‘, Lika 55‘
Tirana-Dinamo 0-0
Elbasani-Partizani 0-0
Teuta-Kastrioti 2-0
Likmeta 38‘, Gega 82‘
Skënderbeu-Besëlidhja e shtyrë
Klasifikimi
Skuadra N. P.
1. Dinamo 20 42
2. Partizani 20 36
3. Tirana 20 33
4. Elbasani 20 33
5. Vllaznia 20 32
6. Besa 20 31
7. Shkumbini 20 28
8. Flamurtari 20 25
9. Kastrioti 20 23
10. Teuta 20 18
11. Besëlidhja 19 13
12. Skënderbeu 19 8