Shpërthim në Kandahar, 80 viktima
Të paktën 80 persona u vranë në një sulm vetëvrasës në qytetin afgan të Kandaharit, në atë që duket të jetë sulmi më vdekjeprurës që nga 2001-shi. Shpërthimi i fuqishëm goditi një turmë njerëzish që po ndiqnin një garë me qen. "Ky sulm vetëvrasës ishte vepër e talebanëve", tha guvernatori Asadullah Khalid, duke shtuar se numri i të vdekurve mund të rritet. Afganistani jugor është një bastion i talebanëve dhe javën e shkuar, vetë guvernatori i Kandaharit ishte shënjestër e një atentati kundër tij. Talebanët nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë për shpërthimin, por të gjitha detajet e sulmit të bëjnë të dyshosh për ta. Mes të vrarëve ishte edhe Abdul Hakim, një shef i policisë lokale, kundërshtar i ashpër i talebanëve, që mendohet të ketë qenë shënjestra e vërtetë e sulmit. Rreth 500 burra gjendeshin në mes të turmës që po ndiqte garën e qenve në momentin e shpërthimit. Nën regjimin taleban, këto gara ishin ndaluar, ndërkohë që aktualisht ato janë shumë popullore në Afganistan. Ndërkohë, përveç viktimave, numërohen edhe dhjetëra e dhjetëra të plagosur, që me makina private janë dërguar në spitalet në qendër të qytetit. Përveç Abdul Hakim, edhe disa policë të tjerë mësohet të kenë qenë mes viktimave. Talebanët pretendojnë se kanë ende ndikim në pjesën më të madhe të vendit, e madje që e kanë shtrirë zonën e tyre të kontrollit edhe përtej bastionit të tyre jugor. Në fakt, ata kanë një prani domethënëse në Kandahar, nga ku edhe nisin sulmet vetëvrasëse apo ato me autobomba. Militantët kanë qenë madje në gjendje të veprojnë lirisht në provincën Vardak, në afërsi të kryeqytetit Kabul. Vitin e shkuar, dhuna në Afganistan arriti nivelet e saj më të larta që pasi talebanët u rrëzuan nga pushteti në vitin 2001.