E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdojnë "nderet" për Interin, por Ibra ndihet i penalizuar

Interi është kthyer në skuadrën më antipatike në Itali, jo sepse fiton vazhdimisht, por sepse gjatë gjithë takimeve të fundit ka marrë një ndihmë të konsiderueshme nga gjyqtarët, të cilët kanë zgjidhur në favor të zikaltërve situata të dyshimta. Kjo ka bërë që në Itali të shpërthejnë polemikat, ashtu si pas takimit të të dielës, kur Interi ka mundur 2-0 Katanian, por duke kaluar në avantazh me një gol të shënuar në pozicion jashtë loje. Kontestimit të tifozerisë vendase, gjyqtari Farina i është përgjigjur me injorimin e takimit në mesin e fushës së dy skuadrave, duke bërë që të revoltohen edhe drejtuesit më të lartë të futbollit italian.

Presidenti i Shoqatës së Futbollistëve, Kampana, ka deklaruar se veprimet e gjyqtarit Farina ishin shumë të diskutueshme. "Goli i shënuar nga Kambiaso ishte i parregullt, por gjithashtu shumë i vështirë për t‘u vënë re. Shumë domethënës ishte fakti se ai nuk u kontestua nga lojtarët e Katanias. Por është për t‘u diskutuar sjellja e Farinës në momentin e fundit të takimit. Mund ta kuptoj nga ana njerëzore dëshirën e tij për t‘u larguar sa më parë nga fusha pas vërshëllimave të tifozëve, por nga ana institucionale ai duhej të respektonte rregulloren", u shpreh Kampana. Në të njëjtën vijë mendimi ka qenë edhe përcaktuesi i gjyqtarëve, Pierluixhi Kolina, i cili për të disatën herë gjatë këtij kampionati është detyruar të komentojë vendimet e gabuara të vartësve të tij. "Ndeshja u gjykua mirë, por anësori gaboi te goli i Kambiasos. Për sa i përket fundit të ndeshjes, Farina ka gabuar, pasi udhëzimi ynë është që gjyqtarët të qëndrojnë në fushë deri në përfundimin e takimit mes dy skuadrave", u shpreh Kolina.

Megjithatë, ka edhe prej atyre që mendojnë se Interi më shumë po penalizohet nga kjo situatë kaotike me "xhaketat e zeza". Sulmuesi i zikaltërve, Zlatan Ibrahimoviç, është i bindur se gjyqtarët gabojnë pasi janë të paaftë, duke vërshëllyer faulla inekzistentë. "Ata na vërshëllejnë gjithçka kundër, nuk më lënë të luaj, nuk më flasin dhe nuk më shpjegojnë arsyen pse vërshëllejnë. Mua nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të qesh në fushën e lojës. Golat tanë të kontestuar? Tani në çdo gol që shënojmë, shpërthejnë polemika. Këta gjyqtarë po e shkatërrojnë futbollin", u shpreh sulmuesi suedez i Interit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›