E Diel, 1 Nëntor 2026

Trashëgimtarja e panjohur e Butos

Fatima Buto është mbesa e ish-kryeministres së vrarë të Pakistanit. Ngjashmëria mes tyre është goditëse: e njëjta hundë e gjatë, i njëjti vështrim që përcjell një personalitet të fortë, dhe inati që i vlon përbrenda nga vdekja e dhunshme e babait. Asaj mund t‘i takonte froni i pasardhëses së Butos, nëse nuk do të kishte ndodhur një sherr brenda njërës prej dinastive më të fuqishme të Azisë

Bilal Buto Zardari, djali që ka marrë në dorë partinë e së ëmës, Benazirit, pas vrasjes së saj, është shumë i ri për të kuptuar përgjegjësinë e madhe që ka. Edhe pse për disa vjet do t‘i kushtohet studimeve në Oksford, para se të marrë de facto çelësat e pushtetit, duket se do të përballet me shumë vështirësi. Opinioni ndërkombëtar ka rezervuar për të jo pak kritika, nisur nga performanca e ndrojtur dhe shpesh jo rezultative në konferencat e shtypit që pasuan emërimin e tij, ndërkohë që edhe në Pakistan njerëzit kanë filluar të mendojnë që përfundimisht ai nuk është një Buto, por një Zardari. Pra i ngjan më shumë të atit, një konformist i regjur se sa të ëmës karizmatike e guximtare. "Ne na duhet një Buto për të vazhduar punën", janë shprehur disa eksponentë opozitarë të politikës së Pakistanit. E ndërsa Bilal për disa vjet do të vazhdojë arsimimin larg vendit të tij, në Karçi ekziston një Buto, e cila duket se është shumë më e kualifikuar dhe përgatitur për të udhëhequr opozitën pakistaneze. Ajo është Fatima Buto. Një vajzë e zgjuar, gjithë kripë e piper, tipike për shijen e jetës politike të Pakistanit. Ka botuar dy libra deri tani, shkruan vazhdimisht analiza nëpër gazeta dhe është e trajnuar në politikë. Po të ktheheshim pas 30 vjet në kohë, atëherë do të shihnim qartë paralelet mes të dyja Butove. Jetët e të dyjave u formëzuan nga vdekjet e dhunshme dhe të parakohshme të baballarëve përkatës, ato ndajnë bashkë karakteristikën e të qenurit kokëforta, por me një sasi të madhe sharmi dhe karizme, janë shkolluar në Perëndim dhe të mos harrojmë ngjashmërinë e jashtme, e cila është me të vërtetë goditëse. Në një intervistë televizive javës që shkoi, ajo dëshiroi të fliste pranë një portreti në moshë të re të Butos dhe kjo pamje nuk kishte nevojë për koment. Mosha e saj 25-vjeçare i jep mundësinë që të kandidojë për pozicione publike në vendin e saj, ndërkohë që sipas rregullave të Pakistanit, Bilalit i duhet që të presë edhe 6 vite të tjera. Vetëm se deri tani Fatima ka deklaruar se nuk ka ambicie politike dhe se nuk ka në plan, që të paktën së afërmi, të eklipsojë famën e madhe të kushërirës së saj. Po cilat janë arsyet? Ato shkojnë në të shkuarën, në kapitujt thuajse të harruar të historisë së largët të familjes. Është një histori linjash gjaku e trashëgimish të thyera dhe të prishura për arsye të ndryshme e të ngjashme me materialet e përshkruara në tragjeditë greke dhe që përbëjnë edhe fatin e familjes Buto, e shndërruar në një nga dinastitë më të mëdha të Azisë. Tetorin e kaluar, dy net para se Buto të kthehej nga mërgimi i saj i gjatë në Dubai, për në vendin e saj, një gazetar britanik shkoi për të takuar Fatiman dhe njerkën e saj libaneze, Ghina në shtëpinë e tyre në një lagje të vjetër të Karaçit. Sapo ishin kthyer nga vizita që kishin bërë në një burg grash. Shtëpia ku ato banojnë është ndërtuar nga stërgjyshi i Fatimës, në vitin 1954, dhe është e pasur me histori. Benaziri vetë ka kaluar sa e sa herë nëpër korridoret e saj gjatë periudhës kur ndodhej nën arrest, në regjimin e diktatorit ushtarak Zia-ul-Haq në vitet ‘70 dhe ‘80. Në kopshtin e shtëpisë, në vitin 1986, Buto organizoi dasmën e saj me Asif Zardarin, një djalosh i përkëdhelur dhe lojtar poloje. Më pas Benaziri do t‘ia kalonte shtëpinë të vëllait, Murtaza, babait të Fatimas, i cili humbi jetën papritmas dhe në rrethana ende të pashpjegueshme në vitin 1996, i qëlluar nga një patrullë policie, e cila nuk u identifikua kurrë. Pas kësaj ngjarjeje të hidhur për familjen, Fatima dhe njerka e saj kanë fajësuar Buton, duke e konsideruar atë "fajtoren morale" të tragjedisë së tyre familjare. Marrëdhëniet mes tyre dukeshin haptas, edhe në publik, që nuk ishin të mira dhe që mes të dyja palëve kishte shumë tension. Rikthimi i hallës sërish në Pakistan pas një periudhe mërgimi, duket se nuk i pëlqente as Fatimës dhe as njerkës së saj. Ajo nuk arrin ende ta shpjegojë se përse halla e saj nuk bëri përpjekjen e duhur për të zbuluar vrasësit e të atit. Sipas saj, edhe gjyqi që iu bë disa shkaktarëve të mundshëm të tragjedisë ishte një inskenim i turpshëm dhe që nuk dha asnjë rezultat. Ish-gruaja e vëllait të Butos thotë se sa më shumë vonohet drejtësia, aq më i dukshëm është faji i atyre që nuk e duan këtë drejtësi. Zanafilla e armiqësisë daton në vitin 1979 dhe është ngjarja me rëndësi epokale që traumatizoi psikikën politike të Pakistanit: ndarja e klanit Buto. Pas ekzekutimit të patriarkut të familjes, ish-kryeministrit karizmatik Zulfikar Ali Buto nga Zia, diktatori ushtarak që i mori pushtetin dy vjet më parë, fëmijët e tij u ndanë. Benaziri qëndroi në shtëpinë e saj në Pakistan, duke duruar një burgim të ashpër, duke u kujdesur për të ëmën e sëmurë dhe duke u marrë me organizimin e Partisë së Popullit, e cila u ringrit nga hiri. Ndërkohë bijtë e ish-kryeministrit të varur, vëllezërit e Butos, Murtaza dhe Shah Naëaz, morën tjetër rrugë. Të rinj, gjaknxehtë dhe plot mllef, i dhanë zanafillë një lëvizjeje me emrin Al Zulfikar, ose shpata, një lëvizje e armatosur që synonte përmbysjen e Zias dhe marrjen e pushtetit. Revolucionarët fituan famë në vitin 1981 me grabitjen e avionit të linjës ndërkombëtare pakistaneze, i cili u detyrua të bënte një ulje në Kabul të Afganistanit, ku vëllezërit e Butos jetonin në mërgim në qeverinë komuniste. Nuk dihen mirë detajet e grabitjes dhe vëllezërit e Butos thonë se nuk ishin të përfshirë në të, por ishin vetëm negociatorë të lirimit të pengjeve. Fakti është se një oficer ushtrie që ndodhej në avion u ekzekutua, ndërsa mbështetësit e vëllezërve të Butos u liruan nga burgu që po vuanin në Pakistan dhe fluturuan në Libi. Menjëherë pas këtij incidenti, vëllezërit Buto u bënë armiqtë kryesorë e të shpallur të regjimit ushtarak në fuqi. Gjatë viteve, ata u martuan me dy motra afgane, vajzat e një zyrtari të Ministrisë së Jashtme. Djali i parë pati një vajzë, Fatimën, por çifti u divorcua tre vjet më pas. Që nga ajo periudhë, vëllezërit ndërmorën udhëtime nëpër botë, duke filluar me vendet e Afrikës, më pas me Evropën, duke kërkuar strehim te qeveritë e vendeve mike. Por në vitin 1985, mërgimi pati një moment të vështirë, kur Shah Nazi, vëllai më i vogël u helmua gjatë një pushimi të familjes në jug të Francës. Butot fajësuan menjëherë diktatorin që ende qeveriste në Pakistan dhe CIA-n. Pas kësaj ngjarjeje, vëllai i madh me të bijën, Fatima, gjetën strehë në Siri, ku u takuan edhe me Ghinën një grua libaneze, e cila e kishte lënë atdheun dhe jetonte duke dhënë mësime baleti. Fatima ishte një nga nxënëset e saj. Murtaza dhe Ghina ranë në dashuri dhe u martuan në vitin 1989. Në Pakistan, vëllai i madh i Butos nuk shihej me sy të mirë, por vajza e tij, Fatima, e kishte shndërruar të atin në idhull. "Ai ishte një baba i mrekullueshëm. Kam kaluar kohë shumë të bukura me të". Thotë ajo teksa kujton babain. Sherri brenda familjes nisi në vitin 1993, kur për Murtazan mori fund mërgimi 16-vjeçar. Kur u kthye në atdhe, ai u zu me të motrën, e cila ishte bërë Kryeministre e vendit për herë të dytë. Vëllai donte të kishte një pozicion shumë të rëndësishëm në partinë e Butos, por Benazir nuk i ofroi shumë pushtet. Atëherë grindjet morën përmasat e një sherri të madh dhe Murtaza formoi një parti më vete, më të vogël, e cila nuk pati as sukses dhe as jetë të gjatë. Fundi i tij ishte tragjik. Në vitin 1996, ndërsa po udhëtonte me enturazhin e tij të madh plot truproja, makina u ndesh në një konflikt me disa policë, të cilët donin ta arrestonin dhe humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit. Vrasja e tij tronditi mbarë vendin, pasi bëhej fjalë gjithsesi për një Buto, për një pinjoll të një fisi të madh. "Rrugët tona ishin të ndryshme, por ne ndanim të njëjtin gjak", deklaroi Buto pas vdekjes së të vëllait. Qeveria e saj u rrëzua 6 javë më pas, ndërsa inati që Fatima dhe njerka e saj ruajtën gjatë për Buton nuk është shuar edhe sot e kësaj dite. Madje ato kanë shkuar deri aty sa të akuzojnë indirekt Benazirin për vrasjen e njeriut të tyre të dashur. Pas vrasjes së tij, qarkulluan disa histori sipas të cilave të dy vëllezërit kishin pasur një grindje të madhe. Ndërsa Benazir vetë është shprehur se vrasja e vëllait është orkestruar nga armiqtë e saj. Por sikurse ka ndodhur me shumë raste të tjera, vrasje politikanësh në Pakistan, e vërteta nuk del kurrë në shesh. Fatima ka kërkuar vazhdimisht që të distancohet nga trashëgimia dhe fama e hallës së saj të ndjerë. Ajo kreu masterin e saj në Londër në Shkollën e Studimeve Afrikane dhe Orientale në Oksford. Ka përfunduar një punim shumë interesant në lidhje me vitet e qeverisjes diktatoriale të Zias në Pakistan, ka shkruar një libër me poezi në moshën 15-vjeçare me titullin "Pëshpërima e shkretëtirës" dhe në vitin 2006 doli me një përmbledhje tregimesh të shkurtra, të frymëzuar nga tragjedia e tërmetit të vitit të kaluar në Pakistan, ku humbën jetën 73 mijë vetë. "Krahasimet me zonjën Buto janë shumë pa lidhje. Për sa i përket ideologjisë politike, jemi shumë larg njëra-tjetrës, por edhe në aspekte të tjera të këndvështrimit të jetës. Jemi krejtësisht të ndryshme dhe unë nuk i përafrohem personalitet të saj në asnjë aspekt". Analiza e saj e përjavshme, që ajo boton në shtyp, ka të bëjë kryesisht me aspektet sociale të jetës dhe më pas edhe me ato politike. Ajo mori shumë përgëzime për raportin që bëri në vitin 2006, në lidhje me luftën në Liban. Në muajt kritikë të luftës, ajo ndodhej në Liban dhe shkroi në ditar çdo ditë të konfliktit, i cili e ndihmoi më pas që të përgatiste një material shumë i interesant. Në derën e zyrës së saj ndodhet një poster i madh i liderit të Hizbullahëve, Nasarallahut. Ka shumë dëshirë që të vizitojë Kabulin, vendin e lindjes, por ka frikë sepse vizita do të paraqiste një rrezik të madh. Për sa i përket Benazirit ajo e donte shumë të mbesën, të paktën kështu shkruan në autobiografinë saj "Bija e Lindjes", por po të pyesësh Fatiman, ajo është e bindur që halla ishte shkaku i ndarjes së familjes. E gjithë jeta dhe historia e familjes i shëmbëllen Fatimës me një histori të gjatë e të vuajtur telenovelash me shumë të papritura, intriga dhe shumë pak dashuri. Pas vdekjes së hallës, është përpjekur që përmes shtypit ta distancojë veten prej saj. Ajo çka nuk i ka pëlqyer kurrë te Benaziri është zelli i saj i tepruar dhe dëshira për pushtet. Më e shqetësuar është për fatin e vendit. "Shoh një gjendje kaotike, që hera herës më duket sikur do të shpërthejë në mënyrë të pariparueshme. Kësaj i druhem shumë. Nuk do të doja tragjedi të tjera për vendin tim", thotë Fatima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›