E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtypi botëror izolon Shqipërinë

Nga këtej e tutje, për të lexuar gazetat dhe revistat prestigjioze ndërkombëtare në Shqipëri në variantin e printuar do të jetë një gjë e pamundur. Botuesit ndërkombëtarë kanë reaguar menjëherë pas vendimit të Parlamentit shqiptar për të futur në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe produktet e shtypit që vijnë nga importi. Dje, shpërndarësit e shtypit botëror njoftuan se e kanë pezulluar dërgimin e gazetave të huaja në Shqipëri, për shkak se Parlamenti shqiptar aprovoi muajin e kaluar vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi to. Kjo, sipas Peter Emond, menaxher i përgjithshëm i agjencisë "Distripress", me qendër në Zvicër, ka rritur dukshëm kostot e dërgimit të shtypit ndërkombëtar në Shqipëri. Për pasojë, "Financial Times", "La Repubblica", "The Economist", "Frankfurter Allgemeine Zeitung" apo "Le Monde" do t‘i mungojnë lexuesit shqiptar, duke rikthyer historinë e përpara 17 viteve, ku regjimi totalitar e kishte ndaluar tregtimin e këtyre gazetave apo revistave në vendin tonë. Për pasojë, këtej e tutje rruga e vetme që u mbetet shqiptarëve për të mësuar se çfarë shkruajnë gazetat më në zë të botës, do të jetë interneti. "Distripress" i është drejtuar për këtë problem madje edhe Presidentit shqiptar, Bamir Topi, duke i kërkuar atij të mos e dekretojë ligjin që aprovoi Parlamenti muajin e kaluar. Ligji në fjalë takson me 20 për qind të gjitha produktet e shtypit, të cilat hyjnë në Shqipëri. Një kopje e letrës i është dërguar dhe agjencisë amerikane të lajmeve "Associated Press". "Ligji i ri do të detyrojë shoqëritë e shpërndarjes të ndalojnë aktivitetin e tyre. Kjo do të thotë fundi i prezencës së shtypit ndërkombëtar në Shqipëri. Por ligji mund të prekë edhe importet e librave të huaj.

Letra tjetër

Por, ajo e shpërndarësve të shtypit të huaj, nuk është letra e parë që ka mbërritur në tryezën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Më parë, Bamir Topit i ishin drejtuar edhe botuesit shqiptarë. "Ne kërkojmë nga Presidenti Topi që të mos e dekretojë këtë ligj, i cili nuk ka logjikë ekonomike dhe është i dëmshëm për kulturën dhe reformën në arsim", thuhej në letrën që ata i kanë drejtuar Presidentit Topi. Në këtë letër, botuesit shqiptarë kanë argumentuar se ligji favorizon interesa të ngushta të disa personave në pushtet, të lidhur me shtypshkronja të caktuara dhe diskriminon grupe të tilla interesi, si: botuesit, autorët e teksteve shkollore dhe drejtpërdrejtë mësuesit e nxënësit që i përdorin këto tekste. Në letër, ata kanë shpjeguar se vendosja e TVSH-së për librat vetëm në import, i vendos shtypshkronjat e vendit në pozita favorizuese përkundrejt shtypshkronjave jashtë vendit dhe cenon parimin bazë të barazisë në konkurrencë, duke i shmangur shtypshkronjat e vendit nga konkurrenca dhe nxitja për të rinovuar teknologjitë e tyre të vjetruara. "Në këto kushte, edhe çmimet e shtypjes nuk ka gjasa të bien në nivelet e çmimeve në të cilat punojnë shumë shtypshkronja të rajonit, por përkundrazi, të rriten", pohojnë botuesit, duke shtuar se sipas këtij ligji, detyrohen t‘u drejtohen vetëm shtypshkronjave të vendit, por paradoksi është se as kapaciteti, as cilësia e shtypjes dhe as afatet e shtypjes nuk do të mund ta bëjnë të realizueshme këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›