Perandoria perfekte
Në prag të kongresit të fundit të Partisë Komuniste kineze, një historian i Akademisë së Shkencave Sociale u ftua në Zhongnanhai, rezidenca e liderëve të mëdhenj të regjimit komunist. Tema e seminarit me dyer të mbyllura për emërtesat kryesore është: "Si janë rritur perandoritë më të rëndësishme të historisë dhe shkaqet e rënieve të tyre"? Ai që organizoi këtë studim ishte Hu Jintao, Sekretari i Përgjithshëm i partisë dhe Presidenti i Republikës Popullore. Që kur Hu u bë numri një i regjimit në vitin 2002, ka ftuar dyzetetre herë historianë të ndryshëm për të mbajtur konferenca në Pallatin Perandorak gjithmonë mbi këtë temë. Një ankth perandorak.
Organizimi i këtyre seminareve pasqyron një pjesë akoma të panjohur të klasës drejtuese të Pekinit. Ndërsa në fjalorin zyrtar, Hu Jintao praktikon modestinë konfuciane - akoma i pëlqen ta përkufizojë Kinën si një "komb spikatës", që gëzon një "bashkëjetesë harmonike" në raport me shtetet e tjera - realisht Pekini po përgatitet për rolin e një lidershipi. Shefi i kombit më të populluar të planetit po kërkon të kuptojë pikat kyçe të fuqisë së perandorive të mëparshme dhe të evitojë përsëritjen e gabimeve fatale. Shkaqet e ngritjeve dhe të rënieve të superfuqive, ose më saktë gjetjen e një perandorie perfekte janë edhe temat e një dokumentari historik të habitshëm që po transmetohet nga televizioni i shtetit kinez (Cctv). Dokumentari është i ndarë në 12 pjesë, në të cilat është përshkruar parabola e nëntë superfuqive të këtyre pesëqind viteve të fundit, nga pushtimet spanjolle tek ato gjermane, nga Perandoria Britanike te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, në këtë dokumentar është zhdukur interpretimi marksist i historisë. Nuk ka asnjë shenjë të propagandës antiimperialiste të kohërave maoiste. Autori i skenografisë, Mai Tianshu, shpjegon se qëllimi është "të nxirret esenca e mësimeve të së shkuarës për t‘i ilustruar opinionit publik skenarët e së ardhmes së shoqërisë kineze, pra ajo që duhet të mësojnë nga suksesi i disa shoqërive perëndimore".
Në këto studime merr pjesë edhe Amy Chua, docente dhe autore e disa studimeve të rëndësishme mbi konfliktet ndërkombëtare dhe globalizimin. Cilësive të saj si studiuese i shtohet edhe një biografi simbolike. Prindërit e saj kanë një prejardhje nga diaspora kineze në Filipine, të cilët që fëmijë i mirëpritën trupat çlirimtare amerikane, që zmbrapsën ushtrinë japoneze. Amerika ishte miti i familjes Chua dhe ëndrra u realizua në vitin 1961, kur babai fitoi një bursë studimi në Institutin e Teknologjisë së Masaçusets. Familja Chua është një shembull i integrimit të minorancave etnike në familjen amerikane. Babai u bë një matematikan i zoti, një nga studiuesit më të njohur botëror për "teorinë e kaosit". Ndërsa dy motrat e saj arritën një karrierë të shkëlqyer në Akademinë e Harvardit.
Por, gjithsesi, aspiratat pro amerikane nuk influencuan në identitetin kulturor të origjinës. "Kur ishim fëmijë - tregon Amy Chua - ishim të detyruara të flisnim vetëm gjuhën kineze në shtëpi. Për çdo fjalë të artikuluar në gjuhën angleze do të kishte si pasojë një ndëshkim fizik". Pas shkollës, zakonisht pasditeve, duhej të studionin matematikë ose të merrnin mësime pianoje dhe kurrë nuk mund të pranonin një ftesë nga miqtë e tyre amerikanë. Kur arriti të fitonte një medalje argjendi në një konkurs historie ndërmjet të gjithë studentëve të liceut, pas dhënies së çmimit i ati i tha: "Mos guxo më kurrë të më poshtërosh në këtë mënyrë" - (vajza nuk kishte marrë çmimin e parë). E ëma i fliste shpesh për historinë pesëmijëvjeçare të qytetërimit kinez dhe të superioritetit të kulturës së tyre. Ajo mbronte pastërtinë e gjakut kinez dhe u shpjegonte fëmijëve të saj se do të ishte një "tragjedi" martesa e dy racave të ndryshme. Dhe kjo sferë shpjegon interesin e veçantë të Amy Chuas për të gërmuar në histori, në mënyrë që të parashikojë skenarët e shekullit të njëzetenjë. Pyetjet që ajo bën janë të njëjtat me ato të Hu Jintao. A ka nisur dekadenca e hegjemonisë amerikane? Dhe, a mund të quhet Kina si superfuqia alternative? Gjithsesi ajo nuk pretendon ta gjejë përgjigjen e vetme dhe nuk mendon se ekziston një mënyrë për të shpjeguar ngritjet dhe rëniet e perandorive. Bën një analizë të rafinuar, ndërsa bazohet te studimet e shumë specialistëve të tjerë. Mundohet të gjejë një konstante, minimumin e përbashkët. Nga Perandoria Romake, tek ajo e Xhenxhis Khan, nga dinastia Tang te Britania e Madhe, duke përfunduar me Shtetet e Bashkuara të shekullit të njëzetë. Çdo superfuqi në majë të suksesit të saj ka një nivel të madh tolerance, ka zotësinë për të tërhequr elitat e popujve të dominuar dhe zotësinë për të akumuluar vlerat e dobishme. Por, gjithsesi, me kalimin e kohës vetë toleranca e çon atë drejt vetëshkatërrimit. Pas shtrirjes së pushtetit në një perimetër shumë të madh dhe sundimit të shumë etnive, superfuqia fillon t‘i trembet humbjes së identitetit dhe bashkimit të saj. Rënia zakonisht vjen pas mungesës së tolerancës.
Në fakt, Perandoria Romake dinte ta fitonte besnikërinë e elitave që ndodheshin në tokat e pushtuara, duke u ofruar atyre një mundësi për të bashkëjetuar. Perandori Klaudio, në një fjalim të mbajtur në Senatin romak në vitin 48 pas Krishtit, nxjerr këtë mësim pas rënies së Greqisë: "Çfarë tjetër e provokoi shkatërrimin e Spartës dhe Athinës, veç faktit se përçmonin popujt që kishin pushtuar, edhe pse barbarë?" Historiani i madh anglez, Eduard Gibon, e konsideron si thelbësor për fuqinë e Romës faktin se "nipërit e Galëve që luftuan Xhulio Çezarin në Alesia dhe që filluan të komandonin grupe ushtarake e të qeverisnin provinca, u pranuan në Senatin romak. Dëshira e tyre e pangopur për pushtet kontribuoi në sigurinë e shtetit". Nga Britania deri në Afrikën e Veriut aspiratat e subjekteve të pushtuara ishin që të bëheshin qytetarë të perandorisë. Dhe romakët ishin fleksibël në përshtatjen dhe njohjen e traditave të atyre popujve që kishin pushtuar, por gjithmonë nëse e konsideronin të dobishme. Rënia e Perandorisë Romake vjen si rezultat i shumë faktorëve njëri pas tjetrit, si shtrirja tepër e madhe gjeografike, kriza ushtarake, kriza fiskale, pushtime nga ana e barbarëve, rënia e moralit, ndërhyrjet e besimeve fetare etj. Fillon të ndihet "nevoja për ndryshim". Popujt e periferive më të largëta mbajnë një identitet të pamposhtur dhe fillojnë të kundërvihen. Romakët ndiheshin të kërcënuar dhe kështu iu futën rrugës së persekutimeve. Është shembulli i Konstantinit, që pas konvertimit në të krishterë filloi të impononte "besimin" e shtetit dhe kështu thyhet me traditën e pluralizmit të besimeve.
Një parabolë analoge është ajo e dinastisë Tang, e cila e drejtoi Kinën nga viti 618 deri në vitin 907 pas Krishtit. Në kulmin e shkëlqimit të saj, me drejtimin e perandorit Taixong, "ishte dinastia më tolerante e kulturave, besimeve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare që Kina ka pasur ndonjëherë". Të gjithë kishin të drejta të barabarta me budistët, hebrenj, myslimanë, të krishterë e kushdo qoftë tjetër. Forca e saj ushtarake bashkëpunonte me gjeneralë dhe ushtri të huaja. Kryeqyteti perandorak, Çangan, bëhet një metropol, ku të gjithë gëzojnë të drejta të barabarta (një e treta e popullsisë ishte e huaj). Kur në perandori fillojnë të shfaqen problemet e para, sepse tibetianët nuk pranuan të ndiqnin të njëjtat politika me ato të Kinës, ksenofobia pushtoi Tangët. Rrugët e mëdha të komunikimit të Azisë qendrore u mbyllën. Filloi një taoizëm fanatik, që persekutonte besimet e tjera. Kina përfundon e izoluar. Por do të dalë nga kjo situatë falë një tjetër dashamirësi të tolerancës, perandori mongol, Khublai. Ai e bëri Kinën qendrën e ekonomisë globale. Në shekullin e katërmbëdhjetë, rënia e mongolëve koincidon me braktisjen e princërve tolerantë ndaj besimeve fetare, të cilët vinin brez pas brezi që nga koha e Xhenxhis Khan. Edhe në suksesin e Perandorisë Britanike ndikoi tutelimi i minorancave dhe zotësia për të pranuar të tjerët. Në fund të shekullit të shtatëmbëdhjetë, Londra bëhet qyteti më i fuqishëm i botës, falë mbërritjes së një fluksi të madh hebrenjsh që u përzunë nga Spanja dhe shumë ugonotësh të përzënë nga Franca. Nga viti 1689 deri në luftërat e Napoleonit, teorikisht Franca kishte më shumë të ardhura se sa Anglia: kishte një agrikulturë më të pasur, një popullsi katër herë më të madhe. Anglezët triumfonin për fuqinë e tyre financiare, e cila ishte mbështetur edhe nga familjet hebrenje si: Medina, Goldsmid, Montago, Stern etje. Pesëdhjetë mijë ugonotë që emigruan nga Franca sollën në Londër një fuqi të madhe punëtore. I rëndësishëm ishte edhe vendimi për të integruar skocezët: baballarët e revolucionit industrial. Ndërsa zhvillimet negative të Perandorisë Britanike filluan në Indi. Në fazën e parë të kolonizimit (i shpejtë, por tolerant me traditat vendase) shfaqet në tetëqindën një lëvizje evangjelike që i dedikohet prozelitizmit të krishterë, bigot, puritan dhe racist. Elitat indiane ndihen të diskriminuara kundrejt kolonive të bardha (Kanadaja, Australia, Zelanda e Re), të cilave u lejohet e drejta politike. Në nëntëqindën, si Gjermania po ashtu edhe Japonia, mundohen të dobësojnë Britaninë e Madhe, por nuk ia arrijnë qëllimit.
Asnjë qytetërim i bazuar në pastërtinë raciale, në spastrimin etnik ose dogmatizmin fetar, nuk ka arritur kurrë ta sundojë botën. Por tashmë janë Shtetet e Bashkuara ato që kanë zëvendësuar Britaninë e Madhe. Në vitin 1816, Amerika ka 8.5 milionë banorë, Rusia 51 milionë. Në vitin 1950 amerikanët u bënë 150 milionë dhe rusët 109 milionë. Dhe falë shkencëtarëve hebrenj që u arratisën nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste, që Amerika zotoi e para armën nukleare. Deri në ditët tona, dinamizmi ekonomik dhe zotësia për të krijuar e Shteteve të Bashkuara vjen falë punës së shumë njerëzve nga kontinenti i vjetër dhe Azia. Pesëdhjetedy për qind e ndërmarrjeve që lindin në Kaliforni kanë si themelues një të huaj: hungarezi Andi Gruv i "Intel", indiani Vinod Khosla i "Sun Mikrosystems", kinezi Xheri Jang i "Yahoo", rusi Sergei Brin i "Google" dhe shumë të tjerë me radhë. Pas 11 shtatorit të vitit 2001, sinjalet e dobësimit të superfuqisë amerikane filluan të shumoheshin. Paralelisht fillon të lindë tentativa për mungesë tolerance: një sinjal paraprak i rrënimit. Kina fillon të përshpejtojë për të kaluar Shtetet e Bashkuara në shumë fusha të fuqisë ekonomike. Por a mund t‘i kalojë edhe në tolerancën strategjike? Ndoshta akoma jo. Edhe pse është duke thithur shumë investime të huaja dhe një pjesë e madhe e diasporës së saj është duke u kthyer në atdhe, Republika Popullore nuk është gati të bëhet një tokë ku do të emigrojnë talente. Nuk ka përkufizuar akoma një identitet kinez kaq të hapur saqë të mirëpresë etni të tjera. Dhe deri sa të mbesë një "regjim autoritar, nuk mund të arrijë si në kohërat e dinastisë Tang ose Khublai Khan".