Gjumi i fundit
Duart e gjata të Lotte kanë ngrirë mbi duart e tij. Gruaja ka veshur një fustan me lule të vogla, ndërsa ai nuk ka harruar të vejë as kollaren. Më 22 shkurt të vitit 1942, në Rio De Janerio kjo pamje e fokusuar nga Bettmann do të trishtonte gjithë botën. Një nga personazhet më të njohur të letërsisë, Stefan Zvajg, ishte gjetur i vdekur bashkë me të shoqen, Jotte, në apartamentin e tyre në Brazil. Përtej këtij imazhi kaq rishtues, mediat kërkonin të gjenin arsyen që e kishte çuar çiftin e njohur drejt vetëflijimit. Sigurisht që politika naziste ishte një nga arsyet e kësaj ngjarjeje. Jotte (Charlotte Elisabeth Altmann), gruaja me të cilën ai lidhi kurorë pas ndarjes me Friderike Maria Burger, kishte vendosur ta ndiqte pas deri në jetën e përtejme. Fjalët e thëna nga miqtë se çifti prej kohësh po vuante një krizë, tashmë nuk kishin më rëndësi. Vetëm dashuria mund ta bënte Jotte të ndërmerrte atë veprim dhe të mos harronte të shtrëngonte duart e njeriut që deshi në orët e fundit.
Ajo dhomë ka mbetur edhe sot si dëshmitarja e vetme e një tragjedie, ku shtretërit me çarçafë të bardhë janë gjithnjë të vendosur në rregull për ata që duan të shohin vendin ku shkrimtari dha frymën e fundit. Nëse në librin "Bota e djeshme" ai tregonte gjithë jetën e Evropës së viteve 1914, historinë e një brezi të pastabilizuar që kërkonin të kultivonin ide, njëri prej të cilëve ishte dhe vetë ai, këtë vendim ende të diskutueshëm të ikjes së tij, ai e mori me vete përgjithmonë.
Sot ne mund të përfytyrojmë përlotjen e në sytë e Jotte, apo dridhjet në trupin e Cvajg, ndërsa po shkonte i vetëdijshëm drejt një rruge pa kthim.
Cvajg besonte se të gjitha ikjet janë njësoj dhe nuk ka shumë rëndësi mënyra se si ndodhin.
Në 56-vjetorin e vdekjes së tij mediat në të gjithë botën kërkojnë të thonë diçka më tepër për burrin që i dha jetë një letërsie që lexohet me ëndje edhe sot. Që te novelat e deri te përsiatjet për politikën dhe botën intelektuale, ai ka lënë pas tharmin e një mendimi që është aq aktual dhe sot. I lindur
më 1881 në monarkinë e Habsburgëve, ai u rrit në Vjenë, metropol dymijëvjeçar, kryeqytet shumëkombësh, dhe iu desh të largohej që andej si ndonjë kriminel, para se ajo të katandisej në një qytet provincial gjerman. Vepra e tij origjinale në gjuhën e vet u bë shkrumb e hi, madje në ato vende ku librat e tij kishin bërë mijëra lexues. Duke mos pasur asnjë vend, ai e pa Evropën si atdheun e tij të mirëfilltë, një atdhe që e zgjodhi nga zemra, por që teksa shkruan këto kujtime, ai e quan një atdhe të humbur, sepse ka nisur të shqyhet e të copëtohet për të dytën herë nga një luftë vëllavrasëse.
Në vitet ‘30 Cvajg ishte një nga autorët më të përkthyer në botë. Lirshmëria në të shkruar dhe historitë që ai përcjell në novelat e tij shfaqin para nesh edhe sot një botë me personazhe që të gjithë do të donim t‘i njihnim. Cvajg thoshte për lexuesit se këto personazhe janë vetë ata.
Në vitin 1914 ai vë kurorë me Friderike Maria Burger von Winternitz. Kjo vajzë vjeneze do të luante një rol të madh në fillimet e krijimtarisë së tij. Friderike i ka ruajtur deri vonë letrat e dashurisë që nisi t‘ia shkruante Cvajg që në vitin 1901. Për 13 vjet rresht ata nuk reshtën së i shkruari njëri-tjetrit, letra që e frymëzonin Cvajg për të dashur më shumë të shkruarin. Ishte shpirti që Cvajg deshi te kjo grua që qëndroi me të për gati 20 vjet. Nga kjo martesë shkrimtari pati dy vajza. Cvajg e këshilloi Frideriken të shkruante letërsi ashtu siç i shkruante letra atij. Vetëm disa vite më vonë Friderike Maria Burger von Winternitz do të bëhej një emër i njohur në letrat austriake. Ajo ka botuar disa libra dhe pse nuk mundi asnjëherë të ishte një shkrimtare e njohur.
Me një jetë disi të trazuar, Cvajg nuk mundi të rrinte indiferent ndaj zhvillimeve të kohës. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai punoi në arkivat austriake. I njohur për lidhjet e tij me Frojd, teoritë e të cilave i besonte, Cvajg ishte një nga personazhet më interesantë të kohës. Në vitin 1938 ai divorcohet me Friderike dhe një vit më pas martohet me sekretaren e tij që nga viti 1933, Charlotte Altmann. Vajza me flokët e zeza, e cila atëherë ishte vetëm 25 vjeçe, do të qëndronte përgjithnjë pranë tij.
Janë shumë detaje që mund të tregohen për jetën e Cvajg, detaje që na vijnë nga kritikët apo biografët e tij.
Por nëse i besojmë Cvajg, ai "thjesht ka jetuar".
"Nuk i kam dhënë vetes kurrë aq rëndësi sa të më tundonte dëshira për t‘u rrëfyer të tjerëve historitë e vogla të jetës sime. U desh të ndodhnin shumë ngjarje, katastrofa e fatkeqësi, shumë e shumë më tepër nga çfarë i takon zakonisht një brezi të vetëm, para se të merrja guximin e t‘i hyja një libri, ku unë do të isha personazhi kryesor, ose më saktë epiqendra e tij. Por për mua nuk ka gjë më të parapëlqyer se sa synimi që ta shfrytëzoj këtë rast për të nxjerrë në pah qoftë edhe rolin e një lektori që komenton figurat e projektuara në ekran, koha ngjiz figurat, unë vetëm sa i përshkruaj me fjalë, dhe ky rrëfim nuk ka të bëjë aq fort me fatin tim, sesa me fatin e një brezi të tërë, të brezit tonë të pashoq, të mbetur në mëshirën e fatit si rrallëkush gjatë rrjedhës së historisë. Secili prej nesh, madje edhe ai më i rëndomti dhe më i përvuajturi u trondit deri në skutat më të thella të qenies së vet, nga ato lëkundje vullkanike thuajse të pareshtura të tokës sonë evropiane; dhe unë si njëri ndër të shumtët nuk mund t‘i njoh vetes privilegje të tjera përveç njërit: si austriak, si hebre, si shkrimtar, si humanist e pacifist, jam ndodhur përherë m‘u aty ku pasojat e këtyre lëkundjeve sizmike ishin më të rënda", shkruan Cvajg në parathënien e librit "Kujtimet e një evropiani".
Ndryshe nga periudha e luftës, ku ai përjetoi momentet më të bukura të lirisë, ardhja e luftës do ta kthente atë në një njeri, që ashtu siç shkruan edhe vetë, "të mbytur në kujtime". Në Brazil ai ëndërronte shtëpinë në Bath, atë të Salcburgut, apo shtëpinë e prindërve në Vjenë.
Vitet e fundit të jetës nuk kanë qenë të qeta për shkrimtarin. Në librin e tij të fundit ai shkruan: "Jam i vetëdijshëm, lidhur me rrethanat e pavolitshme, por tepër karakteristike për kohën, në të cilat dua të hedh në letër kujtimet e mia. Po i shkruaj në mes të luftës, po i shkruaj në një vend të huaj dhe pa pasur minimumin e materialit arkivor për t‘i ardhur në ndihmë kujtesës".
Lufta, dëshpërimi i lirisë së humbur, ndoshta janë arsyet që e çuan një njeri me fuqitë e Cvajg drejt fundit, të atij fundi ku ai nuk udhëtoi vetëm, por i shoqëruar nga Lotte, që në këtë mënyrë i tregoi dashurinë.