Rama mbjell pemë në Unazë
Bashkia e Tiranës mbolli 225
pemë në Unazë, në aksin nga
Farmacia 10 deri në kryqëzimin me
rrugën "Hoxha Tahsim". Ky aks
sapo është rikonstruktuar. Kryetari
i Bashkisë, Edi Rama, i cili ishte
i pranishëm gjatë këtij aksioni
tha se, "Tirana do të ketë një kurorë
të gjelbër në të gjithë Unazën e saj,
e cila tashmë është në prag të përfundimit
në të gjitha detajet". Sipas
tij, kjo kurorë e gjelbër, në pak
vite, do të jetë një ndihmë shumë
e madhe qoftë për të garantuar një
ecje normale për të gjithë këmbësorët,
qoftë edhe për të krijuar një
unazë mbrojtjeje mjedisore. Kreu
i bashkisë është akuzuar disa herë
nga mazhoranca se ka betonuar
qytetin, duke dhënë shumë leje
ndërtimi për pallate dhe duke
mënjanuar hapësirat e gjelbërta.
Me këtë dalje publike, Rama jo
vetëm ka bërë publik projektin e
tij për gjelbërimin, por ka siguruar
qytetarët se punimet në Unazë
janë drejt përfundimit. Ato janë
zvarritur për muaj të tërë. Kështu
për aksin nga Farmacia 10 deri te
"Brryli", afati i përfundimit të punimeve
ishte fundi i muajit shtator.
Tani është fundi i dhjetorit dhe
punimet ende nuk kanë përfunduar
totalisht në këtë aks mjaft të
rëndësishëm. Bashkia e Tiranës,
para një viti e gjysmë, nisi rikonstruksionin
e pjesës së mbetur të
Unazës nga "Zogu i Zi" deri te
"Brryli", por teksa aksi i parë deri
te Stacioni i Trenit përfundoi para
afatit, i dyti është ende në punime.
Duhet theksuar se kjo ishte pjesa
e mbetur në gjendje të mjeruar e
Unazës së kryeqytetit. r.d.