E Diel, 1 Nëntor 2026

"Tregu Çam", parfume VIP të falsifikuara

Një nismë kundër produkteve VIP të falsifikuara, është ndërmarrë ditët e fundit nga Policia e Tiranës, e cila ka sekuestruar qindra parfume. Operacioni është përqendruar në "Tregun Çam" dhe në rrugën "5 Maji" në Tiranë, ku disa tregtarë po hetohen në gjendje të lirë, nën akuzën e falsifikimit dhe kontrabandës. Tregtarët ambulantë, që "shëtisnin" në të gjithë kryeqytetin po mbahen nën vëzhgim nga agjentët e policisë. Këta të fundit thanë se Genci Tifi, Dritan Sula, Saimir Guda dhe Sotiraq Koçi tregtonin dhe sillnin në Shqipëri produkte të falsifikuara të firmave prestigjioze botërore të parfumeve si "Xhillet", "Hugobos", "CK", "Versaçe", "Xhoxh Armani" dhe "Kartier". Kryesisht produktet, sipas policisë së Tiranës, vinin në Shqipëri nga vendet fqinje, ndërsa dyshohen se falsifikoheshin në Kinë. Nga ana tjetër, zyrtarët e policisë së kryeqytetit thanë se bilanci i operacionit është shoqërimi dhe arrestimi në flagrancë i katër personave, si dhe ndjekja në hetim të lirë për dy të tjerë, sepse në bazë të informacioneve operative, dyshohet se të sipërcituarit kanë konsumuar veprën penale të "tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë". "Ata u kapën në flagrancë në disa pika shitje të ndodhur në rrugën ‘5 Maji‘ dhe ‘Tregu Çam‘, ku po tregtonin parfume, deodorante të ndryshme me etiketa të falsifikuara, të cilat ishin futur në Shqipëri në mënyrë kontrabandë", thuhet në njoftimin e policisë. Sipas saj, në bashkëpunim me degën e Policisë Tatimore, u ushtrua kontroll nga ku rezultoi se Genci Tifit, iu bllokuan 62 (copë) parfume me etiketa të ndryshme, Dritan Sulës, iu bllokuan në cilësinë e provës materiale 470 (copë) parfume, Saimir Gudës, iu bllokuan 146 parfume ndërsa Sotiraq Koçit, 60 parfume. Policia thotë se Ali Dinas iu bllokuan në cilësinë e provës materiale 60 dhe Lirim Çaushajt 161 parfume. Këta persona do të ndiqen në hetim të lirë. Hetimet për këta persona i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të "tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë kontrabandë", "Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë" dhe të "Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›