Përfundon greva e urisë e grave në burgun 313
Tiranë- Gratë e burgut 313, kanë ndërprerë sot grevën e urisë nisur që prej 5 ditësh. Pas kontakteve të vazhdueshme të Punonjësve të Kujdesit Social, gratë u bindën që të ndërpresin grevën e urisë dhe iu shpjegua që greva nuk është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet që kanë me organet e drejtësisë.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po bashkëpunon me organet kompetente të drejtësisë që të marrin në konsideratë dhe të shqyrtojnë kërkesat e personave me liri të kufizuar në mënyrë që të evitohen ngjarje të tilla.
Shtatë gra në burgun 313 tek “Jordan Misja” iniciuan një grevë urie duke refuzuar kategorikisht ushqimin dhe duke mos pranuar asnjë lloj ndërhyrje dhe takime.
Arsyeja kryesore e kësaj greve ishte rishikimi i vendimit të dhënë nga gjykata dhe masa e sigurisë. Gjithashtu, ato kërkonin takim me prokurorët e çështjeve ose oficerët e policisë gjyqësore, me të cilët nuk kishin kontaktuar që prej marsit 2008.
Mbi këto gra rëndojnë akuzat për veprat penale të “vjedhjes me anë të mashtrimit”, drogë dhe prostitucion.
Përpara fillimit të grevës, gratë firmosën një dokument ku shpjeguan arsyet e grevës dhe se kërkesat e tyre nuk kanë lidhje me institucionin e 313.
Megjithatë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mori të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të mos krijohej asnjë problem me shëndetin e grave. Në dispozicion të tyre u vunë specialistët përkatës dhe një mjeke për të mbajtur nën vëzhgim shëndetin e tyre.