E Diel, 1 Nëntor 2026

Përpjekje për dialog Prishtinë-Beograd

Zyrtarët e misionit ndërkombëtar në Kosovë, kanë paralajëmruar se shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, mund të vizitojë Beogradin nga fillimi i javës së ardhshme për të diskutuar mundësinë e fillimit të një dialogu mes Prishtinës e Beogradit për çështjet me interes të përbashkët.

Fillimisht kjo vizitë është planifikuar të bëhet nga fillimi i javës së ardhshme, por ende nuk dihen të gjitha hollësitë e takimeve të tij atje.

Thuhet se zoti Zannier do të donte të pritej në një nivel të lartë nga zyrtarët serbë, megjithëse ende nuk është e qartë se si do të duket qeveria e re e Serbisë.

Vizita e zotit Zannier në Beograd bëhet në kuadër të planit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, proces ky që është kundërshtuar fuqishëm nga udhëheqësit e lartë serbë, ndërkohë që është përkrahur nga Prishtina zyrtare.

Dialogu i paraparë mes Prishtinës dhe Beogradit për një varg çështjesh, përfshirë edhe policinë dhe drejtësinë në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, nuk do duhej të prekte çështjen e statusit, që për vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është përmbyllur më 17 shkurt.

Autoritetet kosovare kanë pranuar të fillojnë diskutimet me Beogradin, por vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me interesin e përbashkët, ndërsa zyrtarët serbë e kanë parë këtë mundësi si rihapje të çështjes së statusit.

Marrëdhëniet mes misionit ndërkombëtar në Kosovë dhe udhëheqjes serbe u përkeqësuan që nga periudha kur në krye të UNMIK-ut ishte Soren Jessen Petersen, por kontaktet u ndërprenë vetëm kur me misionin ndërkombëtar udhëhiqte Joackim Ruecker.

Plani i rikonfigurimit të UNMIK-ut parasheh një periudhë shtesë prej 120 ditësh deri nga mesi i tetorit, kur misioni ndërkombëtar do të duhej t'i linte vendin misionit të ri evropian për drejtësi dhe polici, EULEX.

Procesi i rikonfigurimit u shty për katër muaj të tjerë, pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje në KS të OKB-së, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›