Granatë në stadiumin e Vlorës, nisin hetimet
Vlorë- Punonjësit e stadiumit në Vlorë, duke kryer nje pastrim në pjesën jugore të stadiumit, me pamje nga Skela, midis shkallëve dhe gardhit rrethues janë ndeshur me një granatë.
Mësohet se ka qenë një punonjës i mirëmbajtjes së fushës, i cili duke hequr barishtet ka ndeshur me një granatë dore ofensive. Momenti i parë për punonjësin 52-vjeçar nuk ka kaluar pa frikë.
Menjëherë punonjësit e stadiumit kanë ndërprerë punën dhe kanë lajmëruar shefin e klubit, Geri Cipi, i cili nga ana e vet pasi është njohur me gjendjen ka lajmëruar policinë.
Efektivë të sektorit të çarmatimit pranë policisë së Vlorës kanë mbërritur në ambientet e stadiumit, për të bërë çaktivizimin, duke bërë dhe një rikontroll të zonës.
Ndërkohë pak kohë më parë po nga punonjësit e stadiumit Flamurtari janë gjetur disa fishekë gjatë punimeve që kryenin në stadium. Nga specialistët mendohet të mos ketë pasur gjë të qëllimshme, por janë mbetje të vitit ‘97, ku nga vëniet në shënjestër, nuk u përjashtua dhe stadiumi i Flamurtarit. Gjithsesi, situata po hetohet nga policia e Vlorës.