E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplas me makinë të moshuarin, largohet nga vendi i ngjarjes

Dy aksidente të rënda kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në Tiranë, ndërkohë që njëri prej shkaktarëve ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes. Nga këto aksidente kanë mbetur të plagosur dy persona, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë dërguar në Spitalin Ushtarak. Burimet policore bënë të ditur se për këto aksidente u arrestuan edhe shkaktarët e tyre. Sipas informacioneve zyrtare, u bë arrestimi i Klevis Agim Picit, 18 vjeç, nën akuzat e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, largimit nga vendi i aksidentit, si dhe drejtimit të mjetit pa dëshmi. Burimet policore nga qarkullimi rrugor bënë të ditur se ky person, duke qarkulluar te sheshi "Italia", me automjetin tip "Honda", me targa të huaja, ka aksidentuar çiklistin Sami Sinan Tagani, 75 vjeç, banues në Tiranë. Më pas, drejtuesi i mjetit "Honda" është larguar nga vendi i ngjarjes, duke e braktisur të plagosurin në rrugë. Ndërkohë, policia e qarkullimit rrugor ka arrestuar edhe 32-vjeçarin Ilir Raman Korra, lindur dhe banues në Tiranë. "Rreth orës 12:00, pranë kombinatit ‘Misto Mame‘, duke drejtuar mjetin me targë BK975CT, 32-vjeçari i lartpërmendur ka goditur një motor tip "Hindo", me targë TR365E, i drejtuar nga Dhioxhen Iliaz Jazari, 42 vjeç, banues në Tiranë", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Tiranës. Sipas ekspertëve të policisë rrugore, motori është përplasur më pas me automjetin "Toyota", me targë KJ7146A, i drejtuar nga Idriz Xhelal Doda, 52 vjeç, banues në Kavajë. "Për pasojë është aksidentuar rëndë Dhioxhen Jazari, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak", tha policia. Nga ana tjetër, burimet nga policia rrugore bënë të ditur se sërish janë rikthyer masat për parandalimin e aksidenteve, duke shtuar numrin e uniformave blu në terren. Sipas të dhënave zyrtare, do të merren masa të ashpra për secilin person, i cili shkel rregullat e qarkullimit rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›