Tiranë, kapet grupi i hajdutëve të natës
Tre të rinj kanë përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase, pasi dyshohen se merreshin me vjedhje të ndryshme. Burimet policore të Tiranës bënë të ditur se gjatë ditëve të fundit është ndërmarrë një operacion nga seksioni kundër vjedhjeve për zbulimin e grupeve dhe individëve, të cilët merren me këtë aktivitet të jashtëligjshëm. Kështu, uniformat blu shpjeguan se nga ky seksion u arrestuan tre të mitur. "Në pranga kanë përfunduar Alltar Elez Dafku, Fatmir Ilami dhe O. M., të tre nga 17 vjeç dhe banues te Nish-Tulla nr.3 në Tiranë", deklaroi zyrtarisht policia e Tiranës. Po sipas të njëjtave burime, grupi hetimor dyshon se këta të rinj në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë natës kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme konstruksionesh metalike në firmën "Prespa" Sh.P.K, me administrator Endri Prespën. Sipas policisë, ata dilnin natën dhe kryenin vjedhje. Megjithatë, një veprim i tillë nuk është pranuar nga asnjëri prej të arrestuarve. Ata kanë mohuar se kishin dijeni për këtë vjedhje, duke treguar edhe aludimet e tyre se ku kishin qenë atë natë. Por, kjo nuk ka shpëtuar nga dyshimet e policisë dhe prokurorisë, që kanë vendosur të mbahen nën arrest deri në vlerësimin e masës nga Gjykata e Tiranës. Grupi hetimor tha se u kryen veprimet procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e konsiderueshme metalike që ishte vjedhur. Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë për veprën penale të "vjedhjes".