E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet me urgjencë ligji i celularëve

Qeveria shqiptare ka miratuar në një mënyrë të beftë projektligjin për celularët, i cili u bë i njohur për publikun vetëm dy ditë më parë nga ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi. Kryeministri Berisha e ka cilësuar miratimin e këtij ligji, një nismë ligjore që synon t‘i japë fund çmimeve aktuale në tregun e telefonisë celulare, duke i dhënë Entit Rregullator të Telekomunikacioneve instrumentet e nevojshme dhe të duhura për respektimin e rregullave. Kreu i qeverise nënvizoi dy aspekte të këtij projektligji, i cili, nëse nuk zbatohet, parashikon gjoba për kompanitë celulare deri në 10 për qind të të ardhurave vjetore.

"Mendoj se respektojmë shumë nismën e lirë dhe jemi të gatshëm të japim garancitë për të, por nuk pranojmë çmime mbi bazën e marrëveshjeve të heshtura. Kjo situatë duhet të marrë fund mbi bazën e rregullave dhe jo të arbitraritetit. Projektligji në fjalë zgjeron hapësirat e veprimtarisë private dhe mundëson mbrojtjen e interesit publik", u shpreh kreu i qeverisë.

Projektligji

"Përcaktimi i operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg nuk do të bëhet më për një periudhë të kufizuar kohe, por do të bëhet për minimalisht 2 vjet. Kjo u heq kompanive mundësinë për t‘u vërtitur nëpër procese gjyqësore, deri në zhvlerësimin e gjobës. Projektligji i ri rrit gjobat për prishje të rregullave të tregut në këtë drejtim. Me ligjin aktual, kufiri i gjobës është 10 milionë lekë të reja, ndërsa projektligji i ri parashikon që gjobat të vendosen si përqindje mbi xhiron vjetore të kompanive që shkelin rregullat e konkurrencës. Ky projekt gjithashtu i jep të drejtën Ministrisë së Telekomunikacioneve për një monitorim shumë më të kujdesshëm të aktivitetit të Entit Rregullator në mënyrë sistematike dhe permanente në ushtrimin e detyrimeve të veta ligjore për të monitoruar këtë treg", tha Olldashi, kur e prezantoi këtë projektligj pak ditë më parë. Sipas tij, në ndryshim nga ligji aktual, projektligji parashikon një analizë të tregjeve dhe përcaktimin e sipërmarrësve me Fuqi të Ndjeshme në Treg, si edhe vendosjen e detyrimeve përkatëse ndaj tyre sipas direktivave dhe rekomandimeve të tjera përkatëse të BE-së. "Një nga synimet themelore të projektit është rregullimi i tregut të deformuar që ne kemi. Telefonia celulare në Shqipëri është më e shtrenjta në kontinent dhe është pa diskutim më e shtrenjta në vendet e rajonit dhe kjo është një situatë absolutisht e papranueshme", vijoi më tej Olldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›