E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana-Berishës: Kujdes me titujt e pronësisë

Çështja e ndarjes së pronave sjell "përplasje" brenda qeverisë. Këtë herë nuk janë republikanët të cilët vazhdimisht kanë ngritur zërin për t‘i dhënë zgjidhje sa më shpejt këtij problemi, por bëhet fjalë për një ministër nga radhët e PD-së. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, i kërkon Kryeministrit Sali Berisha të ketë kujdes me shpërndarjen e titujve të pronësisë. Gjatë mbledhjes së djeshme të KRRTRSH-së, ministri Gjana i drejtohet kreut të Ekzekutivit që të ndërmarrë penalitete nga më të rëndat për ata persona të cilët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë para nga dhënia pa të drejtë e titujve të pronësisë. Kësaj kërkese të anëtarit të tij të kabinetit, Kryeministri ka preferuar ta kalojë në heshtje duke mos i dhënë përgjigje dhe një koment mbi këtë problem. Sipas Gjanës, "organet kompetente duhet të tregojnë kujdes me dhënien e titujve të pronësisë dhe qeveria të ndërmarrë penalitete për ata persona që kanë marrë padrejtësisht të ardhura financiare nga shpërndarja e këtyre titujve". Aleatëve republikanë u bashkohen edhe zërat nga brenda PD-së, të cilët kërkojnë të tregohet kujdes ndaj procesit të shpërndarjes së pronave. Ministri Gjana ka propozuar sanksione të rënda ndaj atyre personave që abuzuan me pronat, ndërkohë që Kryeministri Berisha e ka "kapërcyer" të gjithë situatën me një heshtje, pavarësisht kërkesës publike të njërit prej anëtarëve të kabinetit të tij. Këmbënguljen e republikanëve e ka përforcuar dje edhe ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, duke kërkuar ndëshkime për ata që abuzojnë me pronat. Çështja e ndarjes së pronave, është një problem i pazgjidhur në 17 vitet e demokracisë, ku megjithëse premtohet shumë për zgjidhje të kësaj çështjeje në prag fushatash, bëhet shumë pak, për të mos thënë asgjë. Shpeshherë republikanët kanë hedhur kritika ndaj Ministrisë së Bujqësisë, duke e bërë fajtore këtë të fundit për mungesën e të dhënave të sakta të tokave të pazaptuara deri tani. Republikanët kërkojnë një inventar të plotë sesa tokë bujqësore apo çfarëdolloj toke tjetër është e lirë për t‘iu ushtruar procesit të kompensimit të pronave. Para dy ditësh, deputeti i PR-së, Arjan Madhi, ka bërë me dije se është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë të identifikojë dhe të kërkojë të shpallet pavlefshmëria e të gjitha tokave të shpërndara në bregdet. Shfuqizimi i Ligjit 7501 është një faktor i madh që do të ndikojë në trajtimin më të sofistikuar të ndarjes së tokave. Republikanët e cilësojnë abuzues këtë ligj, duke rishprehur se me anë të këtij ligji po abuzohet dhe po ndahen toka në mënyrë të padrejtë, duke hedhur akuza se abuzimet më të mëdha po bëhen nëpër komuna. Një tjetër anëtar i kabinetit qeveritar, Fatmir Mediu, ka kritikuar qeverinë për mënyrën e zvarritjes së kthimit dhe kompensimit të pronave. Megjithëse të pakënaqur me fondit e kompensimit fizik, republikanët këmbëngulin në ndarjen në mënyrën më të drejtë të pronave dhe shmangien e abuzimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›