E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu, kritika qeverisë për pronat

Republikanët kritikojnë qeverinë për çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave. "Vonesa dhe zvarritja e kthimit dhe kompensimit të pronës private po dëmton në thelb raportin me qytetarët me të drejtën e pronës, por po dëmton edhe zhvillimin ekonomik të vendit". Ky është konstatimi i nxjerrë nga republikanët, duke kritikuar qeverinë për vonesën e këtij procesi. "Grupi parlamentar i PR-së duhet të rishqyrtojë me themel këtë çështje për të dhënë jo vetëm zgjidhje nëpërmjet amendamenteve ligjore, por edhe me implementimin, duke përcaktuar qartë detyrat e strukturave ekzekutive. Së shpejti në Parlament do të vijnë disa ndryshime për ligjin për legalizimet. Ne do t‘i shqyrtojmë me vëmendje këto ndryshime, por gjithmonë duke pasur prioritet të drejtën e pronës private", tha Mediu. Kreu i republikanëve ka kundërshtuar çdo ligj që do të tjetërsonte pa të drejtë apo do të dëmtonte interesat e pronarëve legjitimë. Ai ka kërkuar nga grupi parlamentar që të jetë i unifikuar, por edhe aktiv në mbështetje të ideve të PR-së, të cilat janë idetë më të drejta për çështjen e pronës private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›