Pjetër Gaci privatisht
Në përvjetorin e vdekjes dhe të lindjes së artistit asgjë aktivitet nga Shkodra, qyteti i tij i lindjes
Shkodër- Vetëm një aktivitet thuajse krejtësisht privat dhe pas asnjë mbështetje të institucioneve vendore në Shkodër, është menduar të bëhet në fundjavë në nderim të kompozitorit Pjetër Gaci. Më 27 mars bëhen 13 vjet nga ndarja prej jetës e kompozitorit të mbi 300 veprave muzikore si këngë popullore, të muzikës së lehtë dhe për fëmijë, vepra sinfonike, opera, opereta, tabllo koreografike, romanca, muzikë filmash etj. Kjo datë është njëkohësisht dhe 77-vjetori i lindjes së Gacit. Vepra e tij muzikore është një gur i çmuar në gjerdanin e muzikës shqiptare, një vepër që interpretohet nga instrumentistë e këngëtarë brenda e jashtë vendit. Janë ish- nxënës të tij, të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë që me iniciativën e njërit prej tyre, violinistit Anton Kaftalli, kanë vendosur të mblidhen në një koncert modest me krijimet e mjeshtrit. Duke parë se harresa shkodrane, harresë kjo e institucioneve kulturore e strukturave që merren me të, gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka kursyer as kompozitorin e madh, janëish- nxënësit e tij ato që kanë vendosur ta kujtojnë në mënyrën e tye. Ishte menduar që koncerti homazh të jepej në hollin e Teatrit "Migjeni", por për asrye që organizatorët nuk duan t'i përmendin, koncerti do jepet diku tjetër. Pjetër Gaci, emrin e të cilit e mban qendra kulturore e qytetit verior e cila prej disa vitesh me shumë punë e sacrifice mundëson zhvillimin e një konkursi ndërkombëtar instrumentistësh në dhjetor, meriton shumë më tepër. Kjo pasi atij i detyrohet jo vetëm Shkodra ku u lind dhe zhvilloi pjesën më të madhe të aktivitetit artistik, por i gjithë vendi. Por Shkodra, megjithëse prej shumë vitesh shpërndan me shumicë tituj nderi, si Krenaria e Qytetit, Mirënjohja e Qytetit etj., akoma nuk i ka dhënë një të tillë "Artistit të Popullit", Pjetër Gaci, kompozitori dhe njëkohësisht poeti i këngës himn "Për ty Atdhe", i operave "Toka Jonë" e "Përtej Mjegullës", i këngëve që ndonëse kanë kaluar shumë vite kanë mbetur në mendjen e njerëzve si "Shqiponjë e lire", "Gryka e Kaçanikut", "Ky merak", "Qytetit tim", "Lahutari" etj.
U lind në Shkodër më 27 mars 1931. Studioi në liceun artistik dhe më pas studimet e larta për violinë në Moskë. Punoi në Tiranë në liceun artistik dhe bashkëpunoi me Ansamblin e Valleve Popullore, Teatrin e Operës dhe Baletit, Radio Tiranën etj. Në vitin 1975 rikthehet në Shkodër ku dha mësim në shkollën e muzikës. Më 1979 merr titullin "Artist i Merituar", më 1989 titullin "Artist i Popullit", më 1989 urdhërin "Naim Frashëri" klasi I. Më 1970 nderohet me çmimin e Republikës Klasi I për Këngën "Për ty Atdhe". Vdes më 27 mars 1995 në Shkodër.