Artistët: Audicioni i të gjithëve!
Sipas artistëve të TKOB-it, audicionet janë të hapura për të gjithë dhe askush nuk ka të drejtë t'ua mohojë një gjë të tillë. Drejtoria e përgjithshme pret takimin me ministrin
Të gjithë e pranojnë se mënyra se si po zhvillohen audicionet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, nuk është e drejtë. Shumë qëndrojnë të tërhequr, pasi siç duket kanë frikë të flasin hapur mos dalin jashtë "axhendës" së drejtorit artistik, apo "keqkuptohen", siç thotë ndonjë syresh. Megjithatë mësohet se një grup artistësh, mes të cilëve drejtues të korit, të orkestrës, etj, kanë kërkuar takim me drejtorin artistik, Kujtim Vorpsi, për të sqaruar edhe njëherë çështjen e audicionit të artistëve, jo vetëm për rolet në opera, por edhe në balet. Shkaku është refuzimi që i është bërë tenorit Rudin Sata për të marrë pjesë në audicionin e programuar për operën "Trovatore" të Verdit. Sipas artistëve, disa prej të cilëve kanë kaluar edhe eksperienca në skena përtej Shqipërisë, audicioni është i hapur për të gjithë ata që kanë mbaruar një shkollë apo studiojnë në fushat përkatëse dhe që kanë talent. "Të gjithë kanë të drejtën e audicionit", - thotë mexosopranoja Manjola Konjari. Këtë e pranojnë edhe të tjerë. Askush nuk mund t'i heqë dikujt të drejtën për të provuar veten, pastaj pranimi është një çështje tjetër. Nisur nga eksperienca si drejtore artistike në TKOB, por edhe si një artiste që ka bërë specializime e ka interpretuar në skena të huaja, sopranoja Edit Mihali ("Mjeshtre e Madhe"), thotë se audicioni është mënyra më e thjeshtë dhe demokratike për përzgjedhjen e roleve. "Në audicion mund të marrë pjesë kushdo, pavarësisht nëse na pëlqen ose jo. Deri në dhjetor të vitit 2007, në ambjentet e TKOB-it, por edhe në Akademinë e Arteve janë publikur datat e audicioneve për shfaqjet e sezonit dhe në to kanë marrë pjesë artistë me përvojë e të rinj", - thotë Mihali, duke shtuar se askush nuk mund të paragjykohet pa provuar veten më parë. Ajo thotë se si ish-drejtoreshë artistike është munduar ta këshillojë disa herë drejtorin aktual, për çështjen në fjalë, madje bashkë me artistë të tjerë të TKOB-it i kanë bërë "presion", që në audicione të pranohen të gjithë. "Këtë e kemi bërë në të mirë të punës dhe që të mos kemi konflikte", - thotë ajo. Sa për rastin e Rudin Satës ajo thotë se nuk dëshiron të paragjykojë e ta përkufizojë si çështje personale, por thotë se "ky është fakt, ai nuk është pranuar në audicion". Ndërkohë drejtoria e përgjithshme e TKOB-it, vazhdon të heshtë lidhur me këtë çështje. Drejtori Zhani Ciko thotë se me statutin e propozuar nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është në kompetencën e drejtorit artistik të zgjedhë artistët që do të interpretojnë në veprat e përcaktuara në kalendar. Ndonëse duket i dorëzuar, Ciko thotë se pikërisht për këtë çështje, për të zbardhur edhe njëherë kompetencat e drejtorit të përgjithshëm dhe atij artistik do të zhvillohet një takim me ministrin e TKRS-së, Ylli Pango, dhe vetëm më pas mund të prononcohet për këtë problem. Deri atëherë, çështja e audicioneve do të varet nga dëshira e mirë e drejtorit artistik. Ndërkohë, pavarësisht kësaj fryme pakënaqësie, në TKOB vijon puna. Mbërriti në Tiranë tenori Agim Hushi, i cili do të interpretojë rolin e Manrikos dhe vazhdojnë provat për "Trovatoren".