E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Karteli i Kryeministrit Berisha dhunon Kuvendin

Erion Braçe ka vijuar dje akuzat e ashpra ndaj Kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së tij. Në një komunikim me median, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste denoncoi se një klan që ka të drejtën të përdorë çdo pasuri në Shqipëri vërtitet rreth qeverisë "Berisha". Sipas tij, Kuvendi është tanimë nën dhunën e kartelit të Kryeministrit të vendit. Numri dy i grupit parlamentar akuzon qeverinë se po i jep shoqërive të caktuara pasuri të shqiptarëve, të cilat më pas tjetërsohen nga pyje në fabrika. "Në Fushë-Krujë, janë dhënë tre licenca për fabrika çimentoje, një vendim ky që duhet të ishte diskutuar me banorët dhe grupet e interesit", u shpreh Braçe. Ai sqaroi se 3 marrëveshjet kanë kaluar gjatë dy muajve të fundit në Kuvend për të ndërtuar fabrika çimentoje vetëm 40 km larg nga Tirana. Marrëveshje që në vlerësimin e tij duhet gjithashtu të ishin më transparente në konsultë me ambientalistët dhe agjencitë e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit. Sipas tij, kjo vendimmarrje duhet t‘i nënshtrohej gjithashtu konkurrencës, pasi ky është elementi themelor që qeveria ka shkelur gjatë vendimmarrjes për ndërtimin e këtyre fabrikave, duke vënë në shfrytëzim 600 ha sipërfaqe publike. Këto akuza janë në vijimësi të fakteve që opozita po paraqet në komisionet hetimore për koncesionet dhe prokurimet publike. Duke ngulur këmbë se korrupsioni në qeverinë "Berisha" po cilësohet si diçka patriotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›