Komisioni "Peçi" u braktis nga të gjithë
Tre muaj më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uli në një tryezë të përbashkët të gjithë krerët e parive politike parlamentare për të diskutuar rreth realizimit të reformës në sistemin e drejtësisë, si një nga sektorët më problematikë ku korrupsioni zhvillohet çdo ditë e më shumë me hapa galopantë. Nisma e kreut të shtetit u vlerësua si mjaft pozitive dhe ftesa e tij, megjithëse nuk kishte shumë kohë që ishte zgjedhur në atë post, u pranua nga të gjithë. Pas shumë kohësh, Presidenti ul në një tryezë kryetarin e mazhorancës dhe kryetarin e opozitës, të cilët deri në atë ditë kishin mundur të shtrëngonin vetëm një herë duart me njëri-tjetrin. Pas tryezës, e cila zgjati për gati tri orë, refreni i të gjitha deklaratave ishte se tryeza rezultoi e suksesshme. Gjithashtu, në atë tryezë u mor vendimi për ngritjen e një komisioni parlamentar për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Po nga kjo tryezë u vendos që kryetar i këtij komisioni do të ishte juristi dhe deputeti Spiro Peçi. Sipas tryezës, puna e komisionit do të shtrihej në dy rrafshe të cilat do të koordinonin shumë mirë njëri me tjetrin. Rrafshi i parë ishte ai politik, nga i cili do të përbëhej komisioni parlamentar, ndërsa rrafshi i dytë ai profesional, ku paralelisht me punën e anëtarëve politikë të komisionit hetimor do të punonin edhe juristë dhe ekspertë të drejtësisë, të cilët do të jepnin mendimet e tyre për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Deri këtu gjithçka u duk në rregull, duke krijuar idenë se reforma në sistemin e drejtësisë do të realizohet shumë shpejt. Për të mos prerë këtë hov, më 11 tetor në Kuvend, me votat e shumicës parlamentare miratohet ngritja e komisionit parlamentar për reformën në drejtësi, i cili do të drejtohej ashtu siç kishte vendosur tryeza e Presidentit më 17 shtator, nga deputeti Spiro Peçi. Në Kuvend u mor vendimi që komisioni do të kishte nga një përfaqësues të çdo partie politike dhe kohëzgjatja e tij do të ishte ashtu siç e parashikonte rregullorja tre muaj. Topalli ftoi partitë politike që të propozonin emrat e tyre. Kësaj ftese, deri më tani, nuk i është përgjigjur asnjë parti politike, duke bërë kështu që puna e komisionit të dështojë ende pa nisur. Kanë kaluar gati dy muaj nga ngritja e komisionit parlamentar për reformën në drejtësi në Kuvend dhe deri tani komisioni nuk është mbledhur asnjëherë. Opozita nuk ka pranuar që të propozojë emra si anëtarë të tij, në shenjë proteste ndaj mënyrës sesi mazhoranca mori vendimin për shkarkimin e ish-kryeprokurorit, Theodhori Sollaku. Sipas opozitës, nisma e mazhorancës për shkarkimin e ish-kreut të akuzës ishte antikushtetuese dhe në kundërshtim me marrëveshjen e arritur mes forcave politike. Për opozitën, reforma në drejtësi nuk duhej të ishte e lidhur me emra të përveçëm, ashtu siç bëri mazhoranca, por të veprohet me reformimin e institucioneve, duke nisur nga mënyra sesi ishte organizuar por dhe që aktualisht funksion në Shqipëri, sistemi i drejtësisë. Pavarësisht deklaratave dhe qëndrimeve kundër opozitës, mazhoranca përfundoi misionin e saj, duke shkarkuar ish-kreun e akuzës, duke acaruar kështu edhe më shumë marrëdhëniet me opozitën. Tashmë, kjo e fundit, nuk i përgjigjet ftesës së mazhorancës për t‘u ulur së bashku në një tryezë për reformimin e sistemit të drejtësisë.