E Diel, 1 Nëntor 2026

Loja për pushtet e Putinit me Medvedevin

Dimitri Medvedev, Njeriu që u cilësia nga Vladimir Putin si pasardhësi i tij në krye të shtetit, nuk vonoi të deklaronte se do të zgjidhte pikërisht Presidentin aktual si Kryeministër, duke zbardhur tërësisht lëvizjet që ka ndër mend të bëjë Putini për të mbajtur në dorë frenat e Kremlinit pas përfundimit të mandatit vitin që vjen.

Deklarata, e bërë përpara gjithë kombit rus nga Dimitri Medvedev, qartësoi njëherësh planet për ndryshimin e strukturave të qeverisjes në Moskë, e cila aktualisht drejtohet nga një President i pushtetshëm që e zgjedh personalisht Kryeministrin, roli i të cilit është më shumë administrativ. Në rolin e Kryeministrit, Putin mund t‘i krijojë vetes mundësinë për të nxjerrë në plan të dytë Medvedevin, duke e kthyer në një figurë simbolike, të tillë si në sistemet parlamentare në Itali e Gjermani.

Ndërkaq, Putin nuk iu përgjigj publikisht ofertës së Medvedevit. Por janë të shumtë ata që marrin me mend se Medevedevi po u përmbahet planeve të Putinit. Disa zyrtarë të lartë të Kremlinit vërejnë se Putin kishte thënë që në tetor se do të mbetej figurë kyçe në politikën ruse edhe pas përfundimit të mandatit, duke përmendur edhe zhvendosjen në zyrën e Kryeministrit të vendit. Putin, i cili gjatë viteve kur ka mbuluar detyrën e Presidentit të Rusisë ka fituar mjaft popullaritet, kushtëzohet nga Kushtetuta për të kandiduar edhe një herë për postin presidencial. E megjithatë, në fjalën e Medvedevit mbeteshin pika të paqarta, siç ndodh rëndom kur në Kremlin do të merren hapa të rëndësishëm. Ajo që vërehet qartë është se Medvedev nuk e kishte planifikuar vetë zhvendosjen e Putinit në zyrën e Kryeministrit të vendit. Gjatë fjalimit, Medvedevi - prej kohësh i besuari i Putinit, pa ndonjë mbështetje tjetër në politikën e vendit - ngriti në qiell Putinin dhe nënvizoi se Rusia duhet të vazhdojë rrugën e nisur nga Presidenti që në vitin 2000. Që kjo të ndodhë, vërejti Medvedev, Putin duhet të mbetet në pikat më të larta të pushtetit. "Nuk mjafton zgjedhja e një Presidenti që mbështet të njëjtën ideologji", tha Medvedev. "Është po kaq e rëndësishme të ruhet eficensa e administratës së krijuar nga Presidenti aktual. Për këtë arsye e vlerësoj si tejet të rëndësishme për vendin tonë qëndrimin e Vladimir Putinit në një pozicion të rëndësishëm të pushtetit ekzekutiv, në postin e Kryeministrit të vendit". Gjithashtu, Medvedev përmendi komentet që ka bërë Putin kohëve të fundit për ringjalljen e rolit të Rusisë në arenën ndërkombëtare. "Tani bota sillet ndryshe përballë Rusisë", shtoi. "Nuk na diktohen më gjëra si të qemë nxënës shkollash fillore; respektohemi nga të gjithë. Rusia diti të gjente vendin që i takonte në komunitetin ndërkombëtar. Rusia tani është një vend tjetër, më i fortë e me prosperitet".

42-vjeçari Medvedev, ish-profesor jurisprudence u caktua nga Putin si zëvendëskryeministër dhe kryetar i bordit të "Gazprom"-it, gjigantes ruse të karburanteve. Në të kundërt të Putinit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Kremlinit, në të shkuarën nuk ka punuar për shërbimet sekrete. Me mbështetjen e Putinit, mendohet se nuk do të ketë asnjë mundësi të humbasë zgjedhjet presidenciale.

Në rast se Putin ka vendosur vërtetë të bëhet Kryeministër, me shumë gjasa mes tij dhe Medvedevit janë bërë edhe marrëveshjet e duhura për veshjen e rolit të Kryeministrit me rëndësi më të madhe. Tani për tani, posti presidencial është më i pushtetshmi në Rusi, duke pasur në dorë forcat e sigurisë - si FSB-ja, pasardhësja e KGB-së - si dhe forcat e armatosura, Ministrinë e Brendshme si edhe sistemin gjyqësor. Roli i Kryeministrit, praktikisht nuk gëzon pushtete kaq të rëndësishme, duke qenë se propozohet nga Presidenti dhe miratohet nga Parlamenti.

Falë partisë së vet - Rusia e Bashkuar, që dominon Parlamentin rus - Putin mund ta veshë me shumë më tepër pushtet postin kryeministror pa iu dashur të modifikojë Kushtetutën. Gjithçka i duhet është bashkëpunimi i Medvedevit në pjesëtimin e pushtetit të Presidencës. Ndodhi në Parlamentin e kohës së Boris Jelcinit që ministrat u detyruan të raportonin drejtpërdrejt te Presidenti dhe jo te Kryeministri. Për të ndryshuar këtë rregull, duke bërë që ministrat t‘i raportojnë Kryeministrit, mjafton një amendament i nxjerrë nga Parlamenti dhe i firmosur nga Presidenti.

Ekziston gjithashtu edhe një precedent i delegimit të autoritetit mbi ushtrinë në duart e Kryeministrit falë një dekreti presidencial. Në vitin 1996, kur Jelcin iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër, Kryeministrit të tij, Viktor Çernomirdin, iu dha komanda e ushtrisë dhe kodet e lëshimit të armëve nukleare për një ditë.

"Nën këto modifikime, Presidenti i Federatës Ruse, cilido qoftë, do të bëhet tërësisht nominal, një figurë simbolike detyra e të cilit do jetë pranimi i kredencialeve të ambasadorëve, organizimi i darkave shtetërore dhe t‘i shtrëngojë dorën Mbretëreshës së Holandës", shkruante më 8 nëntor revista "New Times", në një artikull që analizonte këtë skenar. "Gjithçka mund të arrihet falë shtrëngimeve të disa duarve", tha Lev Okunkov, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin Ndërkombëtar të Moskës.

Disa analistë u shtynë edhe më tej duke parashikuar se Medvedevi mund të zbriste nga posti presidencial edhe përpara përfundimit të mandatit, duke i hapur Putinit rrugën për t‘u zhvendosur nga poltrona e Kryeministrit në atë të Presidentit, edhe kjo lëvizje e mundshme pa nevojën e modifikimit të Kushtetutës.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov, nuk pranoi të jepte shpjegime nëse Presidenti aktual i Rusisë ka ndër mend të ndryshojë strukturën e rolit të Kryeministrit. "Po flasim veç për mundësi hipotetike, por në rast se të gjitha hamendësimet kthehen në realitet, Putinit do t‘i duhet të ruajë marrëdhënie të mira me Medvedevin, pasi të paktën zyrtarisht, e ka shef të drejtpërdrejtë", tha Peskov.

Gjatë një takimi me gazetarë të huaj muajin e shkuar, Medvedev shprehu rezerva për sistemet parlamentare të disa shteteve evropiane, duke thënë se Rusisë i duhej një President me dorë të fortë për të mundësuar vazhdimin e zhvillimit të vendit. "Modeli që kemi në Rusi, modeli socio-ekonomik, shkon ndesh me demokracinë parlamentare", tha zëvendëskryeministri. "Rusia duhet të ndjekë atë rrugë që ndjekin disa vende të mëdha me pushtet të fortë presidencial. Kjo është e domosdoshme për të ruajtur shtetin brenda kufijve ekzistues dhe mendoj se vështirë që të heqim dorë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›