Policia Rrugore, Task-Force për parandalimin e aksidenteve
Policia Rrugore krijon një Task-Force për parandalimin e aksidenteve rrugore. Kjo është bërë e ditur nga zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas tyre, kjo masë është marrë pas kritikave të bëra nga Kryeministri për aksidentet e shumta me pasojë vdekjen. Madje, që dje, kreu i policisë rrugore të Tiranës, Krenar Ahmeti, ka nxjerrë patrullat për të konstatuar dhe penalizuar çdo shkelës të qarkullimit rrugor. Sipas Ahmetit, puna e uniformave blu do të konsistojë në parandalimin e aksidenteve, duke detyruar drejtuesit e mjeteve që në çdo moment të mbajnë rripin e sigurimit dhe në çdo rrugë jashtë qytetit të mbajnë ndezur dritat e shkurtra të mjeteve. Në këtë aksion, më i madhi gjatë këtyre viteve, ka ofruar ndihmën e saj edhe Policia e Tiranës, duke u përqendruar në rritjen e kontrollin në rrugë, veçanërisht ndaj kundërvajtjeve që janë burim aksidentesh për shkak të mosmbajtjes së rripave të sigurimit, kaskave mbrojtëse, shpejtësisë tej normave të lejuara, përdorimit të pijes alkoolike dhe shkeljeve të sinjalistikës rrugore. Sipas kreut të policisë rrugore të Tiranës, urdhri i Policisë së Shtetit parashikon masa konkrete për zbatimin e ndryshimeve të bëra në Kodin Rrugor. Sipas këtyre masave, drejtuesit e mjeteve, gjatë të gjithë kohës së lëvizjes në autostradë dhe rrugë interurbane, janë të detyruar të përdorin fenerët joverbues dhe kur është parashikuar dritat e pengesës, ndërsa drejtuesit e motoçikletave, gjatë të gjithë kohës së lëvizjes, në të gjitha llojet e rrugëve, janë të detyruar të përdorin fenerët joverbues. Ndërkohë, ka ndryshuar neni 170, pika 3 e Kodit Rrugor, i cili ngarkon me detyrime për vendosjen e rripave të sigurimit anëtarët e forcave të policisë gjatë përmbushjes së një shërbimi emergjent; drejtuesit e mjeteve zjarrfikëse, shëndetësisë; drejtuesit e automjeteve të shërbimit të transportit taksi, si dhe njerëzit me cilësi të veçanta trupore. Në lidhje me masat e marra, shërbimet e qarkullimit rrugor në Tiranë, vetëm përgjatë 24 orëve të fundit, kanë vendosur 2019 masa administrative. Megjithatë, këto masa rrugore, si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe të tjera, do të vijojnë për një kohë të gjatë. Burimet policore thanë se tashmë është krijuar një Task-Force, e cila do të vazhdojë për një periudhë të gjatë kohore. Kjo Task-Force do të ushtrojë kontrolle sidomos në autostrada, ku do të ketë masa të rrepta për vënien e rripit të sigurimit dhe për ndezjen e fenerëve. Gjithashtu, pritet të kryhen bllokime të makinave të parregullta në dokumentacion, por mbetet problem vendqëndrimi i tyre.