Bushi: Goli, meritë e ekipit
Goli i shënuar ndaj Arisit të Selanikut e ka bërë përsëri protagonist Alban Bushin, që vazhdon të jetë një prej lojtarëve më të mirë të Apollon Kallamaria në kampionatin grek. Por vetë futbollisti e sheh paraqitjen e tij të fundit si një meritë të skuadrës dhe jo një arritje personale. Pas përfundimit të takimit, ai ka deklaruar për mediat greke, se kjo ndeshje nuk kishte qenë shumë e lehtë për të dhe vetëm falë ndihmës së shokëve të skuadrës kishte arritur të shënonte, duke siguruar një barazim të vlefshëm për skuadrën e Apollonit. "Dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës për shënimin e golit. Megjithëse nuk kam qenë në formën më të mirë gjatë ndeshjes dhe nuk arrita ta ndihmoj siç duhej skuadrën, përsëri shokët vazhduan të besonin tek unë, duke më krijuar mundësinë të gjeja rrugën e rrjetës. Ishte meritë e tyre që arritëm këtë barazim të vlefshëm, pasi ata dhanë maksimumin në fushë", u shpreh golashënuesi shqiptar. Bushi vazhdon të jetë një prej figurave më të dashura për tifozerinë e Apollon Kallamaria, ndonëse këtë sezon ka shënuar vetëm 3 gola.