Kërkohet zgjerimi i Evropianit
UEFA ka filluar një studim për të marrë në konsideratë zgjerimin e fazës finale të Kampionatit Evropian, në mënyrë që të përfshihen sa më shumë skuadra. çështja do të debatohet edhe me vendet anëtare në kongresin vjetor që do të zhvillohet në Kroaci gjatë ditëve të fundit të janarit. Zëdhënësi për shtyp i kësaj organizate, Uilliam Gajard, u shpreh se vendimi përfundimtar do të merrej nga Komiteti Ekzekutiv vetëm në një mbledhje të mëvonshme. Raporti i ndërtuar nga një firmë këshillimore ka hetuar efektet e mundshme të rritjes së numrit të skuadrave mbi 16 që marrin pjesë aktualisht në fazën finale të turneut. Gajard bëri të ditur se janë shqyrtuar variante të ndryshme, për të rritur numrin deri në 24 skuadra. "Firma ka vëzhguar shifrat e ndryshme dhe efektin e përgjithshëm të këtyre ndryshimeve, përfshirë edhe turin eliminator. Duke shtuar numrin e skuadrave në fazën finale, eliminatoret do të jenë më pak interesante dhe këta faktorë duhet të merren në shqyrtim", u shpreh ai. Njëkohësisht, kjo do të minimizonte mundësitë e vendeve të vogla për organizimin e turneut, pasi do të nevojiteshin më shumë stadiume, hotele dhe qendra stërvitore.