MTKRS tregon ndryshimet e statutit
Zbulohen detajet e ndryshimeve të propozuara nga MTKRS rreth statutit të FSHF-së. Zyrtarët e institucionit shtetëror kanë shpjeguar nëpërmjet një faksi të dërguar FIFA-s dhe UEFA-s se nuk kanë pasur si qëllim të modifikojnë statutin, por kanë bërë thjesht propozime për ndryshimin e disa togfjalëshave në nene të veçanta. Ndryshimet në fjalë janë bërë në nenin ku parashikohen të drejtat që zotëron ky institucion mbi kontratat financiare dhe të ardhurat që përfitohen nga të drejtat televizive apo sponsorizimet. MTKRS ka propozuar që edhe FSHF t‘i nënshtrohet legjislaturës shqiptare, duke mos gëzuar të drejtat ekskluzive mbi këto të ardhura, por t‘i përfitojë ato në formën e delegimit nga ana e shtetit.
MTKRS ka shpjeguar dje se ndryshimet në statutin e FSHF-së kanë qenë thjesht propozime që kjo e fundit i ka bërë institucionit të futbollit drejt bashkëpunimit më të frytshëm mes palëve. Në dokumentin e dorëzuar në FSHF bie në sy ndryshimi në nenin që garanton të drejtat e shfrytëzimit nga ana e FSHF-së të të gjitha të ardhurave financiare që vijnë nga të drejtat televizive dhe kontratat sponsorizuese. Togfjalëshi "sipas legjislacionit shqiptar" ka zëvendësuar përkufizimin që FSHF kishte bërë për të drejtat e saj në këtë nen rreth kësaj pikë, dhe kjo është pikërisht ajo që ka lindur edhe polemikën më të fundit me shtetin shqiptar. Por MTKRS pretendon se nuk ka si qëllim të kontrollojë indirekt të ardhurat e FSHF-së, por që kjo e fundit t‘i përdorë ato në formën e delegimit nga ana e shtetit shqiptar. Kjo pikë është dërguar për miratim në FIFA dhe UEFA, por duket qartë se ndërkombëtarët nuk do të lejojnë që shteti shqiptar të kalojë në duart e tij, qoftë indirekt, fondet e federatës së futbollit shqiptar.
Për sa u përket kërkesave të tjera të ndërkombëtarëve, MTKRS ka sqaruar edhe një herë se çdo audit në zyrat e FSHF-së do të kishte si qëllim vetëm kontrollin e të ardhurave financiare nga fondet shtetërore, dhe asgjë që ka lidhje me donacionet ndërkombëtare. Pika e fundit dhe më problematikja, ajo e akuzave ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ka pasur një shpjegim të tijin në letrën e dërguar në FIFA dhe UEFA. MTKRS ka bërë të ditur se ka kërkuar vetëm që ndërkombëtarët të hetonin rreth dy ndeshjeve të fundit të përfaqësueses, për shkak të dyshimeve që lindën në opinionin sportiv, përfshirë edhe vetë trajnerin Bariç. Megjithatë, me letrën e dërguar ndaj ndërkombëtarëve, MTKRS duket se është gati të tërhiqet nga pretendimet e saj për të shmangur një përjashtim të mundshëm të përfaqësueses nga aktivitetet ndërkombëtare.