Bali, firmoset marrëveshja kundër ngrohjes globale
200 vende kanë rënë dakord në
Bali të Indonezisë në bisedimet e
drejtuara nga Organizata e Kombeve
të Bashkuara, që të nisin
bisedimet në lidhje me një plan të
ri për të luftuar ngrohjen globale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e
konsideruan marrëveshjen si një
kapitull të ri në këtë përpjekje që
duhet të jetë e përbotshme, pas
gjashtë vitesh diskutime, kryesisht
mes fuqive të mëdha në lidhje
me ndërprerjen e emetimit të
gazeve të dëmshme, për të cilën
amerikanët kanë qenë kundra.
Madje, Presidenti Bush doli nga
Protokolli i Kiotos, plani i vetëm
dhe kryesor me përmasa të mëdha
që është marrë deri tani me
strategjinë e përbashkët të luftës
kundër ngrohjes globale. Sipas
sekretarit të Përgjithshëm të OKBsë,
Ban Ki-Moon, marrëveshja ishte
më e rëndësishmja e nënshkruar
nga OKB-ja që nga marrja e mandatit
të tij. Po çfarë ka aprovuar
takimi i Balit? Ai ka miratuar një
plan të detajuar për dy vjet bisedime,
në përfundim të të cilëve duhet
të miratohet një traktat që do
të zëvendësojë atë të Kiotos përtej
viteve 2012. Kjo marrëveshje duhet
të përfshijë edhe Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, Kinën dhe
Indinë, të cilat deri më tani kanë
qenë të tërhequra në strategjinë
ndërkombëtare të kësaj përpjekjeje
të madhe. Sipas marrëveshjes
së Balit, gjithçka do të
vendoset përfundimisht, pas diskutimeve
dyvjeçare në një konferencë
që do të zhvillohet në Kopenhagen
të Danimarkës në vitin
2009. Marrëveshja, pas dy javë
bisedimesh, erdhi pas vendimit të
papritur të Shteteve të Bashkuara
të Amerikës për të mos kundërshtuar
më marrëveshje të tilla të përbashkëta,
një politikë që ajo ka vite
që po e ndjek. Vetë Shtetet e Bashkuara
janë së bashku me Kinën
dhe Indinë, emetuesit më të mëdhenj
të gazeve të dëmshme në atmosferë
dhe si pasojë mbajnë
përgjegjësinë më të madhe për të
gjitha problemet e ngrohjes globale
me të cilat po përballet bota
sot. Marrëveshja përbën një hap
përpara në drejtim të ngadalësimit
të ngrohjes globale, e cila, sipas
panelit ndërqeveritar të Organizatës
së Kombeve të Bashkuara, shkaktohet
nga aktiviteti njerëzor,
domethënë nga emetimi i gazeve
të dëmshme të industrive të
mëdha. Sipas shkencëtarëve, rritja
e temperaturave mund të shkaktojë
shkrirje të madhe të akujve
dhe rritje të nivelit të deteve e
oqeaneve në planet, mund të
sjellë anomali klimatike si stuhi të
fuqishme, uragane, përmbytje e
thatësira. Për sa i përket vendimit
të papritur të Shteteve të Bashkuara
të Amerikës, duket se ai është
rezultat i këmbënguljes së madhe
të një pjese të mirë të vendeve
më të industrializuara të planetit
për të marrë masa urgjente në
lidhje me një çështje që u përket
të gjithëve. Marrëveshja e vitit
2009 do t‘u japë qeverive kohën e
duhur për të ratifikuar paktin dhe
për të bindur tregjet dhe investuesit
që të ndryshojnë
teknologjitë nga ato që emetojnë
gaz të dëmshëm në teknologji, që
janë pro një ambienti të pastër. Për
sa i takon Kiotos, ajo i detyron të
gjitha vendet industriale, veç Shteteve
të Bashkuara të Amerikës,
që të reduktojnë emetimin e
gazeve të dëmshme gjatë viteve
2008-2012.