Meta: Rinia e zhgënjyer nga tranzicioni 17-vjeçar
Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi dje Konferencën e saj në Rrethin e Skraparit. Në takim merrte pjesë edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht deputet i Skraparit. Kreu i LSI-së, përmes një retrospektive, kujtoi disa ngjarje të rinisë së tij studentore, 17 vite më parë ku mbizotëronte aspirata e gdhendur me moton "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa". Meta deklaroi se është për të ardhur keq, që pas 17 vitesh kanë ndodhur kaq shumë zhgënjime që rinia, kjo forcë e vërtetë shpresëdhënëse e këtij kombi, e cila i dha një dritë dhe një vizion gjithë Shqipërisë për të hyrë në rrugën e zhvillimit dhe integrimit, sot është një nga viktimat kryesore të zhgënjimit dhe të tranzicionit të tejzgjatur përtej çdo pritshmërie dhe parashikimi që mund të jetë bërë. Duke ju drejtuar rinisë së Skraparit kreu i LSI-së, tha se unë e di që sot rinia e Skraparit, ashtu sikurse e gjithë rinia në vend, përballet me vështirësi të mëdha, të cilat e pengojnë atë të ecë dhe të zhvillohet si vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Erisa Xhixho theksoi domosdoshmërinë e pjesëmarrjes më të madhe të rinisë në politikë, jo thjesht duke ndjekur me pasivitet ngjarjet politike, por duke qenë kontribuues në bërjen e politikës për të integruar vlerat më të mira të domosdoshme për zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit. Sipas Xhixhos, i vetmi vend ku mund të ndihesh i vlerësuar dhe kontribuues në zhvillimin e shoqërisë është Lëvizja Rinore për Integrim. Ajo tha se LRI-ja nuk është thjesht një forum politik rinor i një force politike të re, por LRI-ja është një forum i hapur ku gjithkush e ndjen veten të barabartë dhe të aftë të bëjë diçka në të mirë të shoqërisë ku ai bën pjesë.