E Diel, 1 Nëntor 2026

E vërteta e vizitës së Presidentit Topi në familjen Gjinishi

Z. President! Ditën e Çlirimit, mediat përcollën vizitën Tuaj në familjet e dëshmorëve. Sa i përket familjes së nipit të Mustafa Gjinishit, jemi të detyruar të sqarojmë se:

Vizita Juaj është bërë në një familje që ka mbiemrin Gjinishi, por që nuk janë ata njerëzit më të afërt të Mustafa Gjinishit. Jemi të shtrënguar t‘ju bëjmë me dije se cila është historia jonë, e familjes Gjinishi. Adem Gjinishi (babai i Mustafa Gjinishit) kishte tre fëmijë: Rexhepin, Mustafanë dhe Xhemilen. Petrit Gjinishi, babai ynë (i cili nuk rron) është djali i Rexhep Gjinishit. Kujtim Gjinishi, shtëpinë e të cilit Ju vizituat, është kushëri i largët me Mustafa Gjinishin. Jo vetëm kaq. Gjatë regjimit komunist , K.Gjinishi nuk ka pësuar asnjë persekutim. Në të kundërt, ai nuk është bërë me babain tonë, pasi si nip i Mustafa Gjinishit, i prishte biografinë familjes. Motra e ndjerë e Mustafa Gjinishit është trajtuar në po këtë mënyrë nga familja që Ju vizituat, z. President. Mbështetja e parë për të ka qenë nëna jonë, Manushaqe Gjinishi (gruaja e Petrit Gjinishit, nipit të Mustafait) që e mbajti në shtëpinë tonë deri në vitin 1992. Më pas ajo shkoi në Peqin te djemtë e dajës së saj, Astrit dhe Bardhyl Kaziu. Një nga kërkesat e herëpashershme të Xhemiles ishte gjetja e eshtrave të vëllait të saj, M.Gjinishi. Për këtë arsye, nëna jonë, Manushaqja, shkoi në Peshkopi, te miqtë e hershëm të Mustafait, për të mësuar të vërtetën rreth xhaxhait të babait tonë. Pas një jave interesimi i është thënë se: Eshtrat e Mustafa Gjinishit janë hequr nga Varrezat e Dëshmorëve. Personi që është marrë me këtë punë nuk rron më dhe pas kësaj askush nuk dinte se cila ishte e vërteta. E dëshpëruar, nëna jonë i kthen këtë përgjigje Xhemiles, e cila me ndihmën e djemve të dajës së saj, i bëri vëllait një varr simbolik, pa eshtra, në qytetin e Peqinit. Aktualisht, edhe ai varr simbolik është i dëmtuar rëndë. Ndonëse Kujtim Gjinishi ishte në dijeni të ngjarjeve, nuk denjoi të interesohej asnjëherë për fatin e eshtrave të Mustafa Gjinishit dhe as të së motrës së tij, e cila u kthye në vendlindje për të kaluar vitet e fundit të jetës. Ai vazhdonte të mbante të njëjtin qëndrim, si dhe në kohën e komunizmit. Motra e Mustafa Gjinishit është vizituar në shtëpinë e saj nga paraardhësi Juaj, z. Alfred Moisiu. Një vit më pas, ajo vdiq në varfëri të plotë, duke marrë me vete pengun që nuk mundi të gjente eshtrat e të vëllait. Po ashtu, familja jonë, e konsideruar si familja e nipit të M.Gjinishit është përndjekur nga regjimi, gjë që nuk ka ndodhur me familjen e Kujtim Gjinishit. Vajza e Petrit Gjinishit ka mundur të ndjekë studimet vetëm pas ardhjes së demokracisë, ndërsa nëna jonë na ka rritur me shumë mund, pasi babai ynë ka vdekur i ri. Në të kundërt, familja e K.Gjinishit nuk është penguar nga regjimi, madje është privilegjuar, pasi kishte lidhje krushqie me Ramiz Alinë. Z. President! Nëna jonë, që ndodhet në Shqipëri, dhe ne fëmijët e nipit të Mustafa Gjinishit, që ndodhemi në emigracion, në Itali, e kemi ndjerë veten të pezmatuar jashtë mase, kur mësuam se tashmë familjen Gjinishi e përfaqëson një njeri, i cili e cilësonte babanë tonë si person të padëshiruar në Peqin. Duke dashur të vënë në vend nderin dhe dinjitetin tonë do të dëshironim: Të ndikonit me pozitën Tuaj të bëhen hetime se ku kanë përfunduar eshtrat e Mustafa Gjinishit; Të denonconi vizitën Tuaj dhe të merrni masa ndaj atyre që ju kanë keqinformuar.

Z. President! Ne nuk detyrojmë askënd të na vizitojë, por nuk mund të pranojmë të na zëvendësojë askush babain tonë dhe emrin e nderuar të familjes Gjinishi. Duke kërkuar mirëkuptimin Tuaj, presim që ky keqkuptim, në rastin më të mirë të zgjidhet sa më shpejt.

Duke Ju uruar punë të mbarë!

Pjesëtarët e familjes së Petrit Gjinishit

Manushaqe Gjinishi Tiranë

Albana Gjinishi (Konçi) Bolzano (Itali)

Ardian Gjinishi Tiranë (i kthyer nga emigracioni)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›