Fjalëkalimi, të gjithë "pengjet" e tij
I shpejtë, i lehtë dhe shumë i thjeshtë. Posta elektronike është një shpikje e çuditshme, krijuar mes përzierjes së letrave tradicionale, SMS-ve, korrespondencave komerciale, bisedave. Herët apo vonë të gjithë arrijmë të kuptojmë se "toka e premtuar" e komunikacionit mund të zbulojë një terren të minuar, ku kërcejnë lehtësisht raportet e punës dhe krijohen lindje të reja miqësish.
Mjaftojnë disa shkronja dhe karaktere të kuqe, për të të treguar nëse fjalëkalimi është i saktë apo i gabuar. Shpeshherë ju ka ndodhur që të qëndroni përpara ekranit të kompjuterit, duke pritur me padurim konfirmimin e tij për fjalëkalimin, sepse nëse gabon më shumë se një herë, mund të rrezikosh të mbetesh "jashtë" nga jeta jote praktike, llogaria bankare, posta elektronike, sajti ku bën blerje nga interneti, nga gazeta që lexon çdo mëngjes online. Nëse kompjuteri nuk e konfirmon fjalëkalimin, nuk është gabimi juaj, por dikush tjetër jua ka vjedhur atë. Por si ta shmangim rrezikun e vjedhjes së fjalëkalimit? Sipas një sondazhi të bërë kohët e fundit, të paktën 61% e popullsisë për të shmangur konfuzionin përdorin të njëjtin fjalëkalim në të gjitha adresat e tyre. "Kush arrin të mbajë mend dhjetëra fjalëkalime, zakonisht është një përdorues ekspert që di të përdorë me finesë gjithçka. Më shumë të rrezikuar janë ata që nuk kanë lidhje me teknologjitë, që zakonisht përdorin dhjetëra fjalëkalime dhe i përsërisin vazhdimisht për të mos i harruar", pohon një shef i sigurisë.
Studimi në fjalë është realizuar nga disa revista, në bashkëpunim me një ndërmarrje angleze për sigurinë informatike. Qëllimi i studimit ishte të tregohej sa e thjeshtë ishte të "rrëmbeje" fjalëkalimin e faqeve të "home banking" (shërbimet bankare të cilat bëhen në internet) online dhe nëpërmjet postës elektronike. Sepse, shpesh këto fjalë çelës (tek e-mail-i e deri te kodi PIN i celularit) zgjidhen nga emrat familjarë, datat e lindjes, skuadra e preferuar e futbollit: kështu që mjafton të dish këto të dhëna, të dish t‘i lidhësh dhe... të hysh në llogarinë e tjetrit.
Kjo teknikë quhet "phinshing" (nga anglishtja "fishing"-peshkim dhe "phreaking", një sistem mashtrues telefonik) dhe vjen shpesh drejt e-mail-it. Me informacionet e marra në këtë mënyrë, ka shumë mundësi që të arrihet te fjalëkalimi personal. Duke porositur për shembull në llogarinë rrjedhëse të viktimës, e cila është online, transferimin e parave në një bankë tjetër. Marrja e të dhënave mund të bëhet edhe pa kaluar nga kompjuteri personal, duke ia kërkuar në mënyrë direkte personit: "Është i ashtuquajturi ‘live phishing‘, një mashtrim i thjeshtë, që nuk kërkon njohje të mëdha informatike", shpjegon drejtuesi i sigurisë. Për ta bërë skenën e besuar, këta "hajdutë" përdorin dhënien e dhuratave, për të marrë sa më tepër informacione mbi personin në fjalë, edhe pa pasur nevojën e pyetjeve të shumta.
Personi që kërkon të dhënat duhet që të transmetojë besim tek i peshkuari i radhës. Ai nuk duhet të bjerë në sy dhe të kërkojë informacione të pazakonshme. Një fenomen i njohur nga psikologët si "disonanca konjiktive": nëse një person konsiderohet i besuar, "truri" dëshiron që të vazhdojë dhe t‘i besojë.
Në studimin e parë, të vetmin lloj në Evropë, është krijuar një agjenci udhëtimesh që nuk ekziston. Me pak harxhime është stampuar logoja e saj në xhaketat, bluza, çanta dhe karta. Më pas janë marrë 100 kopje të revistave, si dhuratë për të intervistuarit dhe "kemi" shëtitur në Londër e ishujt grekë për të bërë këtë pyetësor. Që të dukeshin si të pafajshëm, fillimisht i bënë pyetjen standard: "Është hera e parë që vini këtu?" - për të kaluar te pyetjet që do të na çonin në vjeljen e informacionit të dëshiruar si: "Jeni e/i martuar" dhe menjëherë në pyetjen kurth: "Cili është mbiemri i vajzërisë së mamasë suaj"? Përse mbiemrin e vajzërisë? Sepse është një nga pyetjet sekrete "më të përdorurat" për të kërkuar në një faqe interneti ku jemi regjistruar, për të zhbllokuar password-in tonë nëse na është bllokuar.
Rezultati? Vetëm një person në 100 ndërpreu pas pak minutash bisedën, pasi iu dukën shumë të çuditshme pyetjet dhe e vërteta nuk vonoi e doli në shesh. Ndërsa të tjerët: 78 prej tyre treguan për skuadrën e zemrës, 89 për hobin e tyre, 94 treguan emrin dhe mbiemrin, 77 mbiemrin e vajzërisë së mamasë, 34 prej tyre emrat e fëmijëve (6 nuk dëshironin që t‘i jepnin) dhe 49 emrat e qenit të tyre. Duket qartë se puna ndaloi këtu: u shpjegua përse ky pyetësor bënte pjesë për një hetim të rëndësishëm. Për të mos t‘i ngatërruar këto informacione personale, çdo të "mashtruari" iu dha pyetësori i hartuar.
Ky nuk është një rast i cili ekziston vetëm nëpërmjet lidhjes me internet apo të kontaktit direkt. Para disa kohësh në Itali u kap një rast "phishing"... telefonik. Disa persona telefonuan në shtëpinë e dy pensionistëve dhe u kërkuan informacione për llogarinë rrjedhëse bankare, ose të dhëna të këtij lloji: të dhëna që nuk duhet të tregohen asnjëherë, sepse ndonjëherë mjafton vetëm një emër apo ndonjë numër për të hyrë në privatësinë e personit tjetër.
Nuk është e vështirë të mbrohesh, mjafton të marrësh dy masa paraprake. Pikë së pari të mos t‘u tregosh asnjëherë njerëzve të panjohur informacionet personale, numra llogarish dhe fjalëkalime. Së dyti, evitoni zgjedhjen e fjalëkalimeve të lehta, si përdorimi i emrave të njerëzve të dashur ose ditëlindjet: janë informacione shumë të lehta për t‘u gjetur.
Ligjet në shumë shtete, që nga prilli i vitit 2006, detyrojnë të gjithë njerëzit që punojnë me një kompjuter të zgjedhin fjalëkalime me të paktën 8 karaktere me shkronja të ndryshme e me numra dhe nëse nuk arrini që ta mbani mend fjalëkalimin, atëherë bëjeni vetë. Por mos harroni: mos e shkruani në ndonjë vend, ashtu siç bëjnë shumë njerëz.
Siguria
Sa herë që bëni një regjistrim online ju kërkojnë një sërë të dhënash mbi veten tuaj dhe ndër to kërkojnë edhe një fjalëkalim ose "password".
Vështirësia
Shpesh për komoditet zgjidhet vetëm një fjalëkalim, i cili përdoret në të gjitha vendet e tjera. Por në shumë raste ato mund të jenë shumë të lehta për t‘u zbuluar, kështu që ekspertët këshillojnë që të gjeni numra dhe shkronja të vështira për t‘u gjetur dhe për t‘i kujtuar.
Shkronja dhe numra
Atëherë si të bëjmë? Ja një sugjerim. Për shembull, fjalën password (fjalëkalim). Ndoshta është më mirë që në vend të shkronjave të vendosni simbole. Ligjet e shumë vendeve i detyrojnë të gjitha kompanitë, të cilat punojnë me kompjuter, të zgjedhin fjalëkalime të vështira për t‘u gjetur.
Por çfarë mund të bëjnë nëse fjalëkalimet më të sigurta janë ato më të vështira? Si mund të procedojmë? Është e këshillueshme që në çdo rast të shmangim fjalët e fjalorit, sepse hakersat kanë në dispozicion programe që i identifikojnë në pak minuta. "Një fjalëkalim i sigurt do të ishte ai i përzierjes së germave të vogla e të mëdha, numra dhe shenja pikësimi. Më mirë akoma do të ishte përdorja e disa shprehjeve me kuptim, si për shembull ‘aeroporti është mbyllur‘, duke e përzier me numra e shenja pikësimi, edhe pse ekziston rreziku për ta harruar", thotë ai. Për të shmangur edhe këtë rrezik, mund të përdorni si fjalëkalim emrin e fëmijëve apo ditëlindjes së tij, por vetëm në adresa çati, jo llogari bankare online.