E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi kërkojnë ndërgjegjësimin e mbarë shoqërisë shqiptare për më tepër përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë.

5 mars 2008

Zonja e Parë, Teuta Topi, e shoqëruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi morën pjesë sot paradite në aktivitetin e organizuar me rastin e 15-vjetorit të Degës së Pogradecit të Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë dhe Festave të 7 e 8 marsit në qytetin e Pogradecit.

Presidenti dhe Zonja e Parë janë pritur dhe përshëndetur nga anëtarët e kësaj shoqate, Prefektja e Korçës Elfrida Zefi, Kryetari i Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi, Kryetarja e Shoqatës së Jetimëve të Pogradecit Manushaqe Kromollari dhe Kryetari i Shoqatës së Jetimëve të Shqipërisë, Kadri Alia.

Në hapje të aktivitetit, Kryetarja e Shoqatës së Jetimëve të Pogradecit, Manushaqe Kromollari, bëri një përshkrim të punës së shoqatës dhe objektivave të saj.

Gjatë aktivitetit festiv, Zonja e Parë dhe Presidenti i Republikës kanë bashkëbiseduar ngrohtësisht e me ndjeshmëri të veçantë me përfaqësuesit e kësaj shtrese sociale, fëmijë jetimë e prindër të vetëm mbi vështirësitë, me të cilat përballen në jetën e përditshme dhe përpjekjet për t’i kapërcyer ato.

Në përshëndetjet e tyre Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi dhe Kryetari i Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi shprehën gatishmërinë e strukturave vendore për të asistuar këtë shtresë specifike të shoqërisë në nevojat e tyre të përditshme.

Vëmendje në drejtim të arsimimit të kësaj shtrese ka ofruar edhe Drejtoresha e Arsimit të Pogradecit, Sofika Binishi.

Në përfundim, fëmijët e Pogradecit dhanë një shfaqje artistike me këngë, valle dhe poezi të recituara për nder Presidentit Topi dhe Zonjës së Parë, e cila u shpërndau lule të pranishmëve edhe me rastin e Festës së mësuesit më 7 mars dhe asaj të grave më 8 mars.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›