E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja Topi: Nevojiten përpjekjet e të gjithëve për të lehtësuar integrimin real të jetimëve në çdo aspekt të jetës.

5 mars 2008

Të nderuara nëna dhe motra,
Të dashur fëmijë,

E prita me shumë kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet me rastin e përvjetorit të 15-të të krijimit të degës, të Shoqatës së Jetimëve të Pogradecit. Është një kënaqësi të jesh në këtë qytet shumë të bukur me plot tradita e me bukuri natyrore. Gjej rastin për ta përgëzuar këtë shoqatë, e cila si pjesë Shoqatës Kombëtare të Jetimëve punon me shumë përkushtim dhe me shumë humanizëm për të ndihmuar dhe për të integruar në jetën e përditshme këtë grup fëmijësh dhe njëkohësisht e falenderoj për traditën, të cilën ajo ka krijuar që në ditë festash të jenë të gjithë fëmijët së bashku. Ky grup fëmijësh e ka të domosdoshme që të festojë së bashku me të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Ju jeni një pjesë e shoqërisë dhe keni të drejtë të jetoni dhe të punoni njëlloj si gjithë të tjerët, si të gjithë bashkëmoshatarët tuaj. Ndjehem shumë mirë që Shoqata juaj përpiqet për integrimin tuaj real në jetën shoqërore. Unë ju uroj nga zemra që të jeni fëmijë të mbarë dhe gjithmonë të dashur me të gjithë fëmijët e tjerë! Nuk duhet harruar asnjëherë kjo! Gjithmonë së bashku do të bëni të mundur që qyteti juaj, i cili është një perlë që e ka dhuruar natyra, një resurs natyror siç është liqeni i Ohrit, një perlë në të gjithë gadishullin e Ballkanit, pra, ju do ta ktheni qytetin tuaj në një perlë turistike. Është një detyrë që ju takon juve për të ardhmen tuaj.

Por ky përvjetor i kësaj shoqate përkon edhe me festat e 7 dhe 8 Marsit. Unë doja me këtë rast të uroja të gjitha nënat, ato gra që tregojnë dedikimin e vërtetë që ka një nënë brenda qënies së saj për të rritur fëmijë jo vetëm të shëndetshëm, por për të rritur fëmijë të edukuar, fëmijë të arsimuar dhe fëmijë, të cilët do të jenë e ardhmja e vendit dhe që do t’i shërbejnë sa më shumë atij. Me këtë rast unë dua t’ju përgëzoj të gjithave dhe t’ju uroj suksese në jetë dhe në punë! Ju uroj nga zemra gjithë të mirat!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›