E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpreh besimin se partitë parlamentare do ta gjejnë konsensusin për reformën zgjedhore dhe i inkurajon ato që ta realizojnë atë pa humbur kohë.

4 mars 2008

Në përfundim të vizitës së tij në Komunën e Dajtit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi i është përgjigjur interesimit të mediave lidhur me debatin aktual për reformën zgjedhore.

Kryetari i Shtetit është shprehur se: “Unë natyrisht që në çdo moment do të inkurajoja dialogun midis partive, pa marrë parasysh përmasat e formacioneve politike, por natyrisht pa e keqkuptuar debatin. Gjithmonë ka pasur debat në funksion të reformave elektorale. Gjithmonë do të ketë debat, debati është i mirëpritur, por problemi është që debati ta ketë një fund, sepse në çdo lloj debati, sidomos të kësaj natyre ka një proces të natyrshëm, ka edhe një produkt dhe produkti duhet të vijë sa më shpejt për dy arsye. Së pari, kemi premtuar të gjithë që do të jemi gati edhe në funksion të ftesës për anëtarësimin në NATO. Ky është një nga detyrimet. Njëri u realizua me pjesëmarrjen e të gjitha formacioneve politike dhe e dyta besoj që do të vijë. Por, tjetra, që ka po aq rëndësi, është që duhet të jemi në kohë për t’i paraprirë zgjedhjeve politike të vitit 2009, sepse realizimi i një ligji elektoral në kohë dhe jo siç është bërë herët e tjera “in extremis”, në minutat e fundit, do të japë mundësinë që të përgatitet infrastruktura zgjedhore, të përgatiten partitë politike, të përgatiten stafet e tyre, në mënyrë që zgjedhjet politike të vitit 2009 të jenë të rregullta, të pranuara nga të gjithë dhe të realizuara në standarde, sepse standardi i institucionit të zgjedhjeve, ju e dini që është standardi i institucionit kryesor, nga i cili pastaj rrjedhin të gjitha institucionet e tjera. Unë besoj që partitë politike do ta gjejnë gjuhën e tyre, nuk besoj që klima përjashtuese, apo hedhja në treg e përmasave të partive do të zgjidhë problemin. Unë mendoj që të gjitha partitë duhet të dëgjohen dhe pastaj, tek e fundit, duhet të pranohet edhe vullneti i përgjithshëm”.

I pyetur se a konsiderohet një fund i mirë nëse dy partitë e mëdha e miratojnë pa miratimin e partive të vogla reformën zgjedhore në vend, Presidenti i Republikës u përgjigj: “Natyrisht që kurrësesi nuk mund të jap një përgjigje pozitive, sepse është e rëndësishme të merren në konsideratë jo thjesht partitë politike parlamentare të momentit, por të merret edhe mendimi i partive të tjera, që nuk janë në Parlament, sepse zgjedhjet politike të vitit 2009 do të përfshijnë shumë parti. Por, unë besoj që edhe me ndihmën e institucioneve që monitorojnë, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm, jo imponues, partitë do ta gjejnë gjuhën e tyre, sepse fryma e imponimit asnjëherë nuk shkon”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›