E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përuron shkollën “Flamur Shkoza” dhe ambientet e reja të Qendrës Shëndetësore në fshatin Priskë.

4 mars 2008,
Dajt

Vizita e Presidentit të Republikës, Bamir Topi vijoi me një vizitë në fshatin Priskë, ku u përurua shkolla e re 9-vjeçare që do mbajë emrin e ish-Kryetarit të kësaj Komune, Flamur Shkoza, si edhe ambientet e reja të Qendrës Shëndetësore të fshatit Priskë. Kryetari i Shtetit është mikpritur dhe përshëndetur ngrohtë e me dashamirësi nga banorët e fshatit të Priskës, sidomos nga nxënësit dhe stafi pedagogjik i shkollës “Flamur Shkoza”.

Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Komunës, Kujtim Qefalia, duke e falenderuar përzemërsisht Kryetarin e Shtetit për vizitën, si edhe për mbështetjen e tij të vazhdueshme, nënvizoi disa prej projekteve dhe investimeve të kryera në harkun kohor të një viti për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, shëndetësore, të enegjitikës, furnizimit me ujë, etj., në këtë zonë.

Të pranishmëve në këtë veprimtari, Presidenti Topi iu drejtua me një përshëndetje gjatë së cilës u shpreh:

“Ky është një moment i veçantë, jo vetëm i kujtimit të mikut tonë, kryekomunarit Flamur Shkoza, por është edhe një moment gëzimi, sepse përurojmë një shkollë të re, që do të mbajë emrin e Flamur Shkozës.

Unë do të doja të vlerësoja shumë gjestin mjaft fisnik të kryetarit të Komunës, zotit Kujtim Qefalia, i cili i ka propozuar Këshillit të Komunës pikërisht vendosjen e emrit të kolegut të tij. Pavarësisht përfaqësimit politik, ka bërë një gjest qytetar, një gjest që duhet ta bëjnë të gjithë, sepse kryetari i Komunës është kryetar i të gjithë banorëve të saj, në interes të Komunës, pavarësisht nga bindjet politike, sepse kryetari i Komunës, Këshilli i Komunës, është në funksion të të gjithë qytetarëve, në funksion të rritjes së standartit të jetesës në këtë komunë të bukur që është Komuna e Dajtit.

Unë dëshiroj të inkurajoj jo vetëm kryetarin e Komunës, i cili po di të ndërtojë vërtet marrëdhënie mjaft qytetare me të gjithë, me Këshillin e Komunës, të gjithë banorët e Priskës, që momente të tilla gëzimi, vlerësimi, të jenë momente që duhet të shoqërojnë jetën tonë edhe në këtë Komunë, e cila çdo ditë, dhe duhet thënë në perspektivë, do të zhvillohet në shumë fusha, jo vetëm në ndërtimin e shkollave të reja, në ndërtim të ambulancave të reja, në ndërtim të infrastruturës, por edhe në drejtim të atij vizioni të qartë të perspektivës që do të ketë kjo komunë, në drejtim të zhvillimit eko-turistik.

Sot jemi në një moment ku vlerësojmë jo vetëm veprën e Flamur Shkozës, por i japim një inkurajim të ri atij mentaliteti që duhet të mbizotërojë në të gjithë Komunën e Dajtit, shkolla të reja, mësues të mirë të përgatitur që do të përgatisin një brez të ri, që do t’i shërbejë jo vetëm Komunës së Dajtit, por edhe metropolit që e keni shumë afër. Unë me këtë rast, ju uroj të gjithëve, uroj që ta gëzoni emrin e shkollës “Flamur Shkoza” në shërbim të dijes së fëmijëve tuaj. Faleminderit!”

Kryetari i Shtetit vizitoi më tej ambientet e brendshme të shkollës 9-vjeçare “Flamur Shkoza” dhe bashkëbisedoi me fëmijët dhe mësuesit e saj.

Më pas Presidenti Topi mori pjesë në përurimin e Qendrës së re Shëndetësore të fshatit Priskë, ku u prit nga mjekë specialistë të saj. Kryetari i Shtetit u interesua për mbarëvajtjen e punës së ekipit të kësaj qendre e cila do t’i ofrojë një shërbim të kualifikuar banorëve të zonës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›