E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Ambasadorin e ri të Omanit në vendin tonë, Said Naser Al Harti.

4 mars 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Sulltanatit të Omanit në vendin tonë, Said Naser Al Harti, i cili paraqiti Letrat Kredenciale.

Presidenti Topi pasi i uroi Ambasadorit të Omanit mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e tij të rëndësishme, shprehu vullnetin për vendosjen e dialogut politik dhe shkëmbime të vizitave në nivele të larta mes dy vendeve tona, në mënyrë që të krijohen hapësira të reja si për zhvillimin e dialogut, ashtu edhe të rritjes së bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjelltë edhe në kuadër të organizmave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Kreu i shtetit u ndal edhe në ngjarjen më të rëndësishme historike të rajonit tonë: krijimin e shtetit të ri të pavarur, shumëetnik dhe respektues të të drejtave të pakicave, të Kosovës, si një zgjidhje e drejtë që mundëson kushtet për një paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë në mbarë Ballkanin me synim integrimin e plotë në familjen e madhe europiane dhe strukturat euro-atlantike. Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Sulltanati i Omanit ka dhënë për çështjen e Kosovës dhe besimin në vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje edhe pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së Kosovës nga një numër gjithnjë e në rritje vendesh.

Ambasadori Al Harti, pasi falenderoi Kreu e shtetit për mikpritjen dhe mbështetjen e plotë që do të gëzojë nga ana e Institucionit të Presidentit gjatë kryerjes së misionit të tij, shprehu gatishmërinë për të rritur nivelin e gjithanshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe zhvillimin e dialogut dhe bashkëpunimit në të tëra nivelet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›