E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton Komunën e Dajtit.

4 mars 2008,
Dajt

Presidenti i Repubikës, Bamir Topi zhvilloi sot një vizitë në Komunën e Dajtit.

I shoqëruar nga Kryetari i kësaj Komune, Kujtim Qefalia, deputeti Durim Lamaj dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor, Kryetari i Shtetit është pritur dhe përshëndetur me banorë të zonës. Ndalesa e parë e Presidentit ka qenë në në pikën e fillimit të punimeve të rrugës Linzë – Tufinë. Kryetari i Komunës së Dajtit e informoi Presidentin me detaje të projektit të këtij segmenti rrugor, duke e cilësuar atë si mjaft të rëndësishëm dhe kyç për zhvillimin e gjithanshëm të kësaj zone. Urimet më të mira për suksese në realizimin e këtij projekti, Presidenti i Republikës i shprehu në momentin e prerjes së shiritit të inagurimit.

Më pas, Kryetari i Shtetit përshkoi në këmbë një prej blloqeve me ullishte dhe pemë frutore dhe u njoh nga specialistët e agrikulturës, që studiojnë e punojnë në këtë zonë, me disa prej zhvillimeve të kulturës së perimeve, turizmit malor, por edhe të kultivimit dhe kujdesjes për ullirin, që rritet në këtë zonë dhe që përbën një pasuri të madhe bio-mjedisore. Në këtë atmosferë, Presidentit Topi iu dhurua edhe një libër, botim enciklopedik italian, në të cilin ulliri i bardhë i Tiranës është cilësuar ndër ullinjtë më të mirë në botë.

Nga ana e tij, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë e të qëndruarit në natyrën e mrekullueshme dhe specifike të kësaj zone, në madhështinë e ullinjve shekullorë, por në mënyrë të posaçme për përurimin e një rruge, që lidh zonën turistike të Dajtit me Rrugën e Arbrit. “Jemi në një pozicion rreth 10 kilometra larg Tiranës dhe besoj po aq nga pika turistike e Dajtit, në një vend që t’i ofron të gjitha. Ky duhet konsideruar si një vend turistik me mundësi shumë të mëdha të zhvillimit të agricultures, sidomos për ata që e njohin kulturën e ullirit, pemë që këtu janë shekullore, por disa prej tyre kalojnë edhe moshën e njëmijëvjeçarit. Kjo zonë tradicionale ka ditur të pozicionohet këtu në shekuj, ka pasur qytetërim dhe nga të dhënat e arkeologjisë në rrëzë të Malit të Dajtit, ju e dini shumë mirë, janë gjetur edhe vendbanime ilire, ç’ka presupozon se kjo zonë t’i ofron të gjitha edhe sepse është afër metropolit prej rreth 1 milionë banorësh, jemi shumë afër teleferikut, jemi shumë pranë kësaj pasurie të pa krahasueshme, edhe përsa i përket kulturës së ullirit, vreshtave dhe traditës që ka kjo zonë.

Unë besoj që është një promovim shumë interesant i Drejtorisë së Bujqësisë, i njerëzve që merren me këtë kulturë, në mënyrë që promocioni të mos na vijë nga shtetet e tjera, por të dimë ta bëjmë vetë. Fakti që agronomët italianë, institucionet italiane, që janë shumë të specializuara në kulturën e vajit të ullirit vijnë dhe bëjnë këtë vlerësim, tregon që kjo zonë duhet patjetër të ruajë harmoninë midis zhvillimit të natyrshëm urbanistik, por edhe natyrës. Duhet të dimë ta ruajmë dhe ta pasurojmë këtë traditë dhe unë e vlerësoj shumë këtë takim që ju po bëni sot këtu, pasi nuk duhet vetëm mbajtur kjo traditë, por edhe të transmetohet tek brezat e rinj në mënyrë që të mos kemi inflacion lokalesh pa fund, por të dimë të vlerësojmë edhe natyrën, sepse po kaq të ardhura do të japë aktiviteti bujqësor, do të japë ky aktivitet eko-turistik në një zonë që është e papërsëritshme. Urimet më të mira zoti Kryetar dhe të dini të zhvilloni infrastrukturën me këto mundësi të mëdha që ofron kjo zonë kaq e bukur! Besoj që kjo zonë e ka të garantuar të ardhmen e vet dhe këto aktivitete kanë edhe sensin e edukimit e informimit që njerëzit të orientohen më shumë drejt bujqësisë, në mënyrë që këto ullinj të mos mbeten të braktisur, por të trajtohen. Ky aktivitet e garanton këtë dhe prandaj ju bëj urimet më të mira!”

I pyetur nga mediat lidhur me ndërtimet abuzive pa leje në këtë zonë turistike të Tiranës, Presidenti Topi është shprehur: “Besoj që ndërtimet abuzive të pamenduara i takojnë edhe kësaj komune, por në pjesën urbane të saj. Përsa i takon pjesës së sipërme, ju mund ta konstatoni edhe vetë, është plotësisht e mundshme dhe unë jam i bindur që Kryetari i Komunës dhe të gjithë të tjerët që administrojnë Komunën, në bashkëpunim edhe me Qarkun e Tiranës do të dinë ta administrojnë në standardet e urbanistikës moderne, ç’ka presupozon një harmoni të plotë të ndërtimeve me natyrën. Unë jam i bindur që plani rregullues i Tiranës, por edhe i periferisë do të bëjë të mundur që të mos ketë më ndërtime abuzive, jo thjesht të ndërtimeve pa leje, por edhe të abuzimeve në mënyrën e konceptimit të ndërtimeve. Unë nuk dua të marr rolin e specialistit, por jam i bindur që strukturat sot janë të ndërgjegjësuara që do të shkojnë në këtë drejtim, sepse Mali i Dajtit vërtet jo vetëm është ende i paeksploruar, por besoj që Mali i Dajtit i ofron shumë mundësi këtij zhvillimi, që duhet të bëhet me shumë kujdes dhe duhet të garantojë perspektivën e dhjetravjeçarëve, ç’ka do të thotë jo vetëm aktualitetin, por dhe perspektivën e brezave. Unë në bisedën që kam bërë me Kryetarin e Komunës, me Kryetarin e Qarkut, por edhe me specialistë të fushës, të gjithë janë të mendimit që ky harmonizim duhet të bëhet detyrimisht me natyrën”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›