E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u urojnë Festën e Pashkëve besimtarëve ortodoksë shqiptarë.

27 prill 2008

Presidenti i Republikës Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi vizitoi sot Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Tiranë me rastin e Festës së Pashkëve ortodokse.

Presidenti Topi i ka shprehur Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos dhe mbarë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, kudo që ndodhen, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e festimit të Pashkëve ortodokse.

Urimet më të mira për këtë festë, Kryetari i Shtetit i shprehu edhe përmes një komunikimi me mediat e pranishme:

“Është një ditë e shënuar në radhë të parë për besimtarët ortodoksë, të cilëve u uroj “Gëzuar Pashkët”, por është festë për të gjithë shqiptarët, që dinë t’i gëzojnë shumë bukur festat e njëri-tjetrit. Besoj që është ditë, kur të gjithë duhet të inspirohemi për të rikthyer vlerat e vërteta shpirtërore të shoqërisë shqiptare, duhet t’i konsolidojmë ato dhe të shohim përpara. Është dita e dominimit të shpresës mbi dëshpërimin, e altruizmit mbi egoizmin. Janë vlera, të cilat të gjithë së bashku duhet të punojmë që t’i rikthejmë. Shoqëria jonë ka nevojë që t’i kthehet vlerave më të mira të besimit dhe, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të ndërtojmë një shoqëri të konsoliduar, që është një shoqëri e së ardhmes, shoqëri evropiane, ku ne dëshirojmë të gjithë të shkojmë. Edhe një herë gëzuar të gjithëve Festën e Pashkëve!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›