E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë për Festën e Pashkëve.

26 prill 2008

Presidenti i Repubikës, Bamir Topi u shpreh urimet më të mira gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë kudo ndodhen, përmes një mesazhi dërguar për Festën e Pashkëve, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos.

“Me rastin e Festës së Pashkës, shpreh për ju dhe gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, kudo që jetojnë dhe punojnë, urimet e mia më të ngrohta e të përzemërta.

Kremtimi i kësaj dite të shenjtë në kalendarin ortodoks, është një ngjarje e shënuar gëzimi, e cila rigjallëron në zemrat e besimtarëve ndjenjat më të thella të dashurisë e mirëkuptimit për njerëzit, të afërmit, shokët, miqtë. Ajo ndez në shpirtin e gjithësecilit flakën e besimit tek Zoti dhe tek jeta, ngjall tek ne shpresën dhe forcon bindjen për një të ardhme më të mirë, më të sigurtë, për një të ardhme të ndritur për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Në ditën e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen dhe në frymën e harmonisë së besimeve fetare, që karakterizon kombin shqiptar, në familjet tona ne urojmë me hare njëri-tjetrin për paqe, begati, qetësi shpirtërore. Më shumë se kurrë sot, ne gjendemi me zemër pranë atyre njerëzve që janë në nevojë për t’iu dhënë kurajo, për t’iu thënë se jeta ecën përpara dhe se me përpjekje të përbashkëta mund të përballojmë çdo vështirësi. Në këtë atmosferë të dlirësisë dhe tolerancës shpirtërore është momenti kur ne i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit, duke kuptuar se vetëm kështu mund të arrijmë qëllimet e mëdha që i kemi vënë vetes, të konsolidojmë identitetin dhe traditën tonë kombëtare dhe të ruajmë pasurinë shpirtërore sot dhe në shërbim të brezave që do të na trashëgojnë”, - thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›