E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr çmimin “Njeriu i Vitit 2007” në politikë nga gazeta “Tirana Observer”.

27 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi është nderuar me çmimin “Njeriu i Vitit 2007” në politikë nga gazeta “Tirana Observer”. Me këtë rast, sot në ambientet e Presidencës u zhvillua një ceremoni, gjatë së cilës, kryeredaktori i gazetës, Roland Qafoku, i dorëzoi Kryetarit të Shtetit çmimin e marrë në bazë të rezultateve të anketimit të qytetarëve.

Në fjalën e tij, z. Qafoku vuri në dukje faktin se gazeta “Tirana Observer” e ka traditë dhënien e çmimit “Njeriu i Vitit” dhe ky është viti i tretë radhazi që kryhet ky anketim. Ai i është drejtuar Presidentit Topi me pyetjen: “Zoti President, ju jeni votuar gjithnjë maksimalisht nga zona nr. 31 në Tiranë si deputet i saj, jeni votuar edhe nga Parlamenti por këtë rradhë, në anketën tonë ishte shumë e veçantë që votat janë marrë nga e gjithë Shqipëria, madje dhe nga jashtë saj. Si e shihni këtë votim që vjen disa muaj pasi ju keni marrë detyrën e Presidentit?”. Në përgjigje të saj, Kryetari i Shtetit u shpreh:

“Faleminderit! Ju morët menjëherë pozicionin e gazetarit me këtë pyetje. Në radhë të parë ju shpreh mirënjohjen që erdhët në institucionin e Presidentit për të më dhënë këtë çmim, i cili në fakt është çmimi i qytetarëve që kanë marrë pjesë në anketë. Vlerësoj anketën që organizon gazeta juaj dhe ndjehem shumë i nderuar që marr këtë çmim. Në fakt vlerësimi ka qenë gjithmonë për qytetarët dhe ata kanë pasur gjithmonë një vlerësim, i cili natyrisht është i ndryshëm në bazë të rrethanave. Fakti që ka një shpërndarje harmonike, jo thjesht nga zona elektorale ku kam qenë, që është gjithsesi shumë e rëndësishme, por edhe nga Parlamenti e më gjerë, unë e vlerësoj shumë këtë fakt. Do të mundohem që në të ardhmen ta shtoj impenjimin tim, por jo me mendimin që të jem përsëri “Njeriu i Vitit”, pasi stafeta duhet të kalojë nga një personazh në një personazh tjetër. Faleminderit shumë!”

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe drejtues e gazetarë të tjerë të gazetës “Tirana Observer”, si edhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›