E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr mesazhe urimi me rastin e marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO.

4 prill 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka marrë mesazhe urimi me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO.

* * *

Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Saba D’Elia në mesazhin e tij shkruan: “Zoti President,

Më lejoni t’Ju formuloj urimet e mia më të sinqerta për ftesën e bërë Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Aleancën Atlantike gjatë Samitit të Bukureshtit.

Sikurse Ju e dini, Italia e ka mbështetur fuqimisht hyrjen e Shqipërisë në NATO, e cila përfaqëson një njohje të progresit të arritur nga Tirana në rrafshin e reformave të brendshme dhe të kontributit të vlefshëm të vendit dhe të popullit Tuaj në procesin delikat të stabilitetit rajonal.

Me bindjen që prova e pjekurisë e treguar në këtë rast nga Shqipëria, nga klasa e saj politike dhe nga i gjithë populli do të perforcohet edhe më tej, Ju siguroj që Italia do të vazhdojë të shoqërojë me bindje Shqipërinë në ecjen e saj drejt integrimit në familjen europiane”.

* * *

Në mesazhin e Kryetarit të Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim i Maqedonisë, Ali Ahmeti thuhet: “Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO të Republikës së Shqipërsë padyshim është ngjarja më e shënuar në rrugën e vështirë të tranzicionit dhe demokracisë shqiptare.

Përkushtimi, orientimi i drejtë dhe sakrifica e popullit shqiptar në këtë rrugëtim drejt vlerave euro-atlantike u kurorëzuan me sukses të plotë. Shqipëria prej dje i ka të hapura të gjitha dyert për në NATO dhe BE. Kështu shteti shqiptar përfundimisht zë vendin e merituar në familjen e madhe të aleancës së demokracisë, lirisë, sigurisë dhe qytetërimit perëndimor.

Zoti President përgëzimet dhe urimet më të sinqerta për Ju personalisht dhe gjithë popullin shqiptar për këtë arritje të madhe dhe historike për mbarë kombin tonë.

Unë personalisht, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe shqiptarët e Maqedonisë duke e ndarë bashkë me Ju këtë ngjarje madhore jemi të sigurtë se autoriteti i Juaj dhe angazhimi i shtetit shqiptar nuk do të mungojë në mbështetjen e Republikës së Maqedonisë në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike”.

* * *

Kryetari i Unionit të Bashkësive Shqiptare në Republinë e Kroacisë, Ton Marku thekson: “Jemi të bindur se Shqipëria demokratike me planin e përcakatuar të realizimit të reformave të domosdoshme së shpejti do të bëhet edhe anëtare e Bashkësive Evropiane.

Ju dëshirojmë suksese në punë në të mirë të popullit shqiptar”!

* * *

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik të Preshevës, Riza Halimi shprehet: “Përpjekjet e parreshtura historike të popullit shqiptar për liri, barazi, pavarësi si dhe veprimtari demokratike në 17 vjetshin e fundit dëshmojnë për orientimin e natyrshëm të shtetit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve për integrime euro-atlantike.

Me këtë rast solemn Ju dëshiroj sukses të plotë në punën e madhe vijuese për integrim të plotë në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian”!

* * *

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Abdylhadi Vejseli në mesazhin e tij thekson se: “Ftesa për në NATO ishte kumti historik më i pritshëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar në këto hohëra që i hapi demokracia pluraliste shqiptare. Duke ndarë gëzimin e përbashkët për këtë ngjarje historike që sjell shanset e pakthyeshme për një epokë prosperiteti për shqiptarët. Ne duam të Ju inkurajojmë që, me frymën e një konsensusi politik kombëtar, të vazhdoni, t’i çoni më tej angazhimet e Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë në frymën e standardeve të Aleancës veri-atlantike gjer në anëtarësimin e plotë, të vendit në NATO”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›