E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Ambasadorin e ri të Perusë, z. Vilaroel me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale.

8 prill 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të Republikës së Perusë në vendin tonë, Luis Felipe Galvez Vilaroel me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Pasi i uroi mirëseardhjen Ambasadorit Vilaroel dhe suksese në misionin e tij diplomatik, Presidenti Topi shprehu besimin se marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona, të cilat janë në një nivel të mirë, do të thellohen dhe zgjerohen më tej si përsa i përket dialogut politik, ashtu edhe në fusha të tjera si ajo ekonomike, kulturore, etj., sidomos për të parë mundësinë e bashkëpunimit në industrinë minerare, ku Peruja është një ndër vendet e para në botë të prodhimit e eksportimit të bakrit.

Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për njohjen e menjëhershme nga Peruja, më 25 shkurt, të pavarësisë së Kosovës dhe i përcolli Presidentit peruvian, Alan Garsia përshëndetjet e përzemërta nëpërmjet Ambasadorit Vilaroel, të cilin e siguroi gjithashtu për mbështetjen e plotë të Institucionit të Presidentit të Republikës gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Ambasadori Vilaroel, pasi e falenderoi Kreun e shtetit për mikpritjen, shprehu përshëndetjet më të mira nga ana e Presidentit peruvian, Alan Garsia dhe mirënjohjen për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Perusë në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkërendimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, UNESKO, etj., duke u zotuar njëkohësisht se do të punojë për rritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat si shkëmbimet tregtare e ekonomike, ato kulturore, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›