E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ambasadorin e ri të Irlandës, Antoin Mac Unfraidh.

28 janar 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka pritur Ambasadorin e Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të Irlandës Antoin Mac Unfraidh, i cili i paraqiti Letrat Kredenciale.

Duke i vlerësuar si mjaft të mira marrëdhëniet mes dy vendeve, Presidenti Topi ka uruar që tashmë këto marrëdhënie të intensifikohen akoma më tej duke rritur dialogun politik dhe shkëmbimet ekonomike nëpërmjet krijimit të kushteve që ky shkëmbim të bëhet sa më natyrshëm.

Kryetari i shtetit ka përmendur sfidat e rëndësishme që ka përpara vendi ynë, integrimin në NATO dhe BE dhe ambicien që në prill të këtij viti Shqipëria të marrë ftesën për t’u bërë pjesë e NATO-s në Samitin e Bukureshtit.

Duke folur për pavarësinë e pritshme të Kosovës, Presidenti i Republikës është shprehur se Paketa Ahtisari mbetet zgjidhja e duhur për Kosovën dhe aspiratat e saj për t’u bërë pjesë e strukturave integruese euroatlantike.

Ambasadori Antoin Mac Unfraidh ka mbështetur qëndrimin e Presidentit Topi se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të pasurohen edhe më tej, ndërsa ka nënvizuar se promovimi i shkëmbimeve ekonomike do jetë prioritet i misionit të tij në vendit tonë.
Ambasadori ka vërejtur se edhe pse vendi i tij nuk është pjesë e NATO-s, mbështet plotësisht aspiratat e Shqipërisë por edhe të vendeve të Ballkanit në strukturat euroatlantike. Nga ana tjetër Ambasadori i Irlandës ka bërë të ditur se do marrë pjesë në misionin e BE-së në Kosovë sapo kjo gjë të vendoset.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›