E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ambasadorin e ri të Sllovakisë, Jan Voderasky.

28 janar 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të Republikës së Sllovakisë, Jan Voderasky, i cili i paraqiti Letrat Kredenciale.

Kryetari i shtetit dhe ambasadori i Sllovakisë kanë vlerësuar se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivel mjaft të mire, por kanë mundësitë që të zhvillohen akoma më tej duke inkurajuar në mënyrë të veçantë bashkëpunimin ekonomik.

Presidenti Topi e ka njohur ambasadorin Voderasky me përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe rolin e saj moderator në rajon, rol që i jep nota pozitive vendit tonë në përmbushjen e sfidave që ka përpara. Duke u ndalur tek çështja e Kosovës, Kryetari i Shtetit ka vërejtur se bëhet fjalë për një rast specific, i cili duhet trajtuar si i tillë nga secili vend në prag të pavarësimit të saj.

Duke i përcjellë përshëndetjet më të përzemërta të Presidentit të Sllovakisë Ivan Gasparoviç, ambasadori Voderaski e ka garantuar Kryetarin e Shtetit se vendi i tij do i mbështesë plotësisht aspiratat e drejta të popullit shqiptar për integrim në NATO e BE dhe se Sllovakia është e gatshmë të ndajë me Shqipërinë përvojën e saj të freskët integruese në këto dy organizma.Nga ana tjetër Ambasadori i Sllovakisë ka bërë të ditur se vendi i tij është gati të mbajë një qëndrim të tijin për Kosovën, të koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›