E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton qytetin e Lidhjes historike të Prizrenit.

27 janar 2008

Dita e tretë e vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës, Bamir Topi ka nisur me një vizitë në qytetin historik të Prizrenit. I shoqëruar nga zv. Kryeministri Gazmend Oketa dhe delegacioni i lartë nga Shqipëria, Presidenti Topi është pritur nga kryetari i Komunës, Ramadan Muja dhe shumë qytetarë të mbledhur përpara Kompleksit të Lidhjes së Prizrenit, në pritje të mbërritjes së Kryetarit të Shtetit të Shqipërisë.

Pasi është përshëndetur ngrohtësisht me qytetarët, Presidenti Topi është shprehur i emocionuar nga mikpritja entuziaste e prizrenasve “ Unë ndihem i nderuar, i respektuar njëkohësisht edhe i emocionuar që jam këtu në Prizren në një qytet tradicional historik, që në momentet më të rëndësishme për fatet e Shqipërisë, ka dhënë jo vetëm fijen e shpresës, por ka frymëzuar të gjitha shoqërinë shqiptare për t’u rigjallëruar, për t’u bashkuar dhe për t’i bërë ballë atij represioni që vinte nga qarqet e errëta. Sot jemi në një situatë tjetër kur të gjithë duhet të gëzohemi, sepse gjithë këto përpjekje madhore të shqiptarëve në dekada po kurorëzohen dhe jemi në pragun e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që është një lapidari i ri i përpjekjeve por edhe i kurorëzimit me sukses të këtyre përpjekjeve. Unë edhe njëherë ju falenderoj nga zemra për këtë mikpritje.

Më pas Presidenti Topi ka vizituar rezidencën e qeverisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ku ka parë dokumentet origjinale të shpëtuara nga shkatërrimi që iu bë muzeut nga serbët në 27 mars 1999, që rrëfejnë historinë e Lidhjes në themelimin e saj në qershor të vitit 1878 dhe përpjekjet e patriotëve Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Mustafa Pasha, Sulejman Vokshit, Mic Sokolit, etj., për të mbrojtur tërësinë e atdheut.

Në librin e muzeut Presidenti Topi ka lënë edhe mbresat e tij:”Vizita në kompleksin historik të Lidhjes së Prizrenit është një nga momentet më të bukura të jetës sime si një dëshmi e gjallë, e ripërtërirë e vitalitetit të kombit shqiptar. Jemi në çastet kur të gjithë presim me padurim shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ditë që do ta festojnë të gjithë shqiptarët.Urimet më të mira dhe e pasurofshim më tej historinë e kombit tonë.”

I pyetur nga mediat për përshtypjen e kësaj vizite, Presidenti Topi u shpreh: “Kombi ynë ka aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese, kështu që edhe kjo ndërtesë e rëndësishme historike, edhe pse u dëmtua në mënyrë të qëllimshme gjatë luftës, menjëherë pas çlirimit populli i Prizrenit, historianët, intelektualët me një vetëdije të thellë qytetare dhe historike, por edhe me shumë kulturë e risollën ashtu sikurse ka qenë, ndërsa gjithçka ekziston në kujtesën e kombit. Unë besoj që kjo histori do të pasurohet dhe jemi në momentet kur kjo simbolikë vjen si një referencë e jashtëzakonshme në prag të shpalljes së pavarësisë.”

Më pas Presidenti Topi, i shoqëruar nga përfaqësuesit vendorë të Komunës së Prizrenit, ka përshkuar në këmbë rrugën deri tek Pazari i Vjetër, duke parë rrugicat e ndërtimet karakteristike si dhe duke u përshëndetur e takuar me qytetarët që kishin dalë të prisnin Kryetarin e Shtetit shqiptar, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›