E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Ambasadorin e ri të Norvegjisë në vendin tonë, Karl Vibi.

17 janar 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Norvegjisë në vendin tonë, Karl Vibi, me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale.

Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona, vuri në dukje se duhet gjetur më shumë hapësirë për t’i zgjeruar akoma edhe më tej këto marrëdhënie në fusha të ndryshme si ajo ekonomike, veçanërisht në sektorin e energjisë, apo në fushën e arsimit dhe shtoi se Ambasadori Vibi do të gëzojë mbështetjen e Institucionit të Presidentit gjatë gjithë ushtrimit të detyrës së tij të rëndësishme.

Kreu i shtetit vuri në pah përpjekjet tona integruese të Shqipërisë duke theksuar dy reformat kryesore të ndërmarra: reformën në gjyqësor e atë zgjedhore dhe nënvizoi rolin moderues dhe të rëndësishëm të faktorit shqiptar në rajon, veçanërisht për zgjidhjen e shpejtë e të drejtë të çështjes së Kosovës dhe marrjen e pavarësisë së merituar nga ana e saj.

Nga ana e tij, Ambasadori Vibi vlerësoi lart ndryshimet e mëdha dhe pozitive që ka pësuar Shqipëria gjatë dekadave të fundit, vuri në dukje interesimin e biznesit norvegjez për të investuar në vendin tonë dhe shprehu vullnetin për rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha si ajo e energjisë, arsimore, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›