E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr mesazh urimi nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e Festës Kombëtare.

28 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu me rastin e Festës Kombëtare.

“Në emër të popullit dhe të institucioneve të Kosovës, ju përgëzoj nga zemra në 95 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë festohet kudo në zemrat e shqiptarëve si Dita e Flamurit, një datë e shënuar për popullin tonë të moçëm.

Lufta e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar Shqiptar, luftrat e patriotëve tanë nëpër shekuj, lëvizja gjithpërfshirëse independiste e Lidhjes së Prizrenit, u kurorëzuan me pavarësinë shqiptare të shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Pavarësia e Kosovës, që është në prag, do të shënojë realizimin e ëndrrës së shqiptarëve të Kosovës për mëvetësi, e cila është ushqyer e mbajtur gjallë edhe nga ditë të tilla të shenjta si Dita e Flamurit, që ka shpalosur identitetin autokton të popullit tonë. Tani pavarësia jonë do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie.

Si shtet i pavarur e sovran, Kosova do të ketë atributet e veta të shtetësisë, duke ruajtur në të njëjtën kohë, në të gjitha zemrat tona, dashurinë e madhe për Flamurin e Skënderbeut, që u rishfaq në Vlorë me binomin Ismail Qemali e Isa Boletini.

I dashur Presidenti Topi,

Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë! E kremtofshim njëqindvjetorin e pavarësisë shqiptare me Shqipërinë dhe Kosovën të integruar në strukturat evropiane dhe atlantike, në familjen e vlerave perëndimore!”, - shkruhet në mesazhin e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›