E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në debatin e hapur publik mbi strategjinë e reformës në drejtësi.

12 dhjetor 2007

Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të nderuar Përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Të nderuar gjykatës, prokurorë, të ftuar,

Jemi mbledhur sot këtu së bashku për një çështje shumë të diskutuar kohët e fundit e cila po interferon ndjeshëm në zhvillimet politike, ekonomike, institucionale, çështjet e integrimit, në të drejtat qytetare dhe nuk po lejon forcimin ashtu siç duhet të shtetit ligjor në Shqipëri. E kam fjalën për reformën në sistemin e drejtësisë. Prej disa vitesh aktorët politikë vazhdojnë të artikulojnë në ndonjë rast me doza abuzivizmi me konceptin e reformës dhe për fat të keq deritani askush nuk ka mundur të prodhojë teza specifike se ku duhet të shtrihet kjo reformë. Për këtë arsye unë e quaj debatin e sotëm shumë të rëndësishëm dhe historik për reformën në drejtësi.

Jemi këtu, të gjithë së bashku, politikanë dhe përfaqësues të popullit, gjyqtarë, prokurorë e juristë, diplomatë dhe partnerë të institucioneve të së drejtës në Shqipëri për të hapur një debat, i cili nga sot do të marrë përmasa kombëtare në të gjithë Shqipërinë në lidhje me zgjidhjen e disa pikëpyetjeve thelbësore. Dikush mund të preket nëse pyetja shtrohet në këtë mënyrë. Kurrsesi, kjo është çështje e disa temave të referencës që vlejnë për të gjithë, pra vlejnë për njeriun e thjeshtë, vlejnë edhe për profesionistin më të aftë. Pra pyetja e parë bazale mbetet gjithmonë në fuqi. Pra ç’është reforma? Kush duhet të marrë pjesë dhe kush duhet të jetë pjesë e hartimit të kësaj reforme? Cilat grupe interesi duhet të përfshihen në të? Kush duhet të jenë parimet bazë të këtij ndryshimi? Çfarë do të reformojmë? Reformë ligjore, apo institucionale? Shumë e shumë pikëpyetje të tjera do të startojnë sot mes nesh për t’u larguar njëherë e përgjithmonë nga retorika e një propagandë e panevojshme, si dhe për të dhënë shembullin se e konceptojmë reformën në drejtësi, jo vetëm si teori, por edhe si një deduksion juridik të një analize, e cila do të përfshijë në debat qindra e qindra juristë, gjyqtarë, prokurorë dhe politikanë. Pra ky lloj bashkëpunimi, kjo lloj bashkëjetese institucionale është jetike. Asgjë nuk mund të realizohet në një terren qoftë ky edhe tërësisht profesional, sepse ka nevojë të lidhet me institucionet, të lidhet me politikën që duhet të jetë prodhojnë institucionet, pra një lidhje shumë e rëndësishme midis komunitetit të juristëve, profesionistëve të aftë, por edhe përfaqësuesve të politikës, Parlamentit shqiptar, i cili realisht formalizon në ligj atë që përgatitet nga një bazë e gjerë e juristëve, përfaqësues të nderuar dhe me eksperiencë, të cilët në debatin e ditës shpeshherë etiketohen me fjalë të cilat janë bërë shumë familjare, por nga ana tjetër, nuk duhet ta gjykojmë këtë lloj atmosfere thjesht me pesimizëm, sepse ka elementë thelbësorë që japin shanse që të rigjenerojmë këtë sistem pikërisht nga brenda në bashkëpunim me forcat e vullnetshme në Parlamentin shqiptar.

Ju jeni në dijeni që rreth tre muaj më parë është bërë një takim i rëndësishëm me kryetarët e forcave politike parlamentare dhe natyrisht, substanca e atij takimi ishte shprehja e vullnetit politik, sepse politika së pari për të marrë vendime të rëndësishme duhet të jetë e motivuar, duhet të ketë vullnet që atë ç’ka i seviret nga profesionistët, nga institucionet, nga ekzekutivi në pjesën e vet, si dhe çfarë vjen nga komisionet të kalojë në seancë parlamentare. Të gjithë shprehën vullnet politik. Sigurisht ka këndvështrime të ndryshme pse nuk ka filluar ende të funksionojë nga puna ky komision i posaçëm parlamentar, i cili si rrallë herë në takimet e krerëve të partive politike u tregua i kujdesshëm për të formatuar komisionin me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare, por për të bërë të mundur edhe zgjidhjen e asaj që shpeshherë është problematike, pra kryetarin e këtij komisioni. U pa e arsyeshme të ketë edhe një komision tjetër profesionistësh që do të vinin nga institucionet, që janë të përfshira dhe duhet të jenë të përfshira në këtë proces, për të bërë të mundur pikërisht atë lloj kombinacioni që unë sapo e përmenda, ku institucionet e drejtësisë, të cilat për hir të së vërtetës nuk janë në një terren pa ligje, ku për hir të së vërtetës sot më shumë se kurrë kërkohet që termi reformë ndoshta të elaborohet si term i perfeksionimit të reformës. Askush nuk mund të bëjë ‘autogol’ duke u shprehur se në 17 vite ne nuk kemi punuar të gjithë së bashku, juristë, politikanë, përfaqësues të medias, të cilët kanë bërë të mundur që të gjitha këto probleme të dalin përpara njerëzve, pra ta bëjnë publik këtë debat. Pra është bërë goxha punë, natyrisht ka mjaft probleme dhe sot jemi në një moment kur ky debat fatmirësisht vjen në një terren tjetër, ku termat politikë, të domosdoshëm për reformën, duhet t’i lenë radhën termave juridikë dhe të dy së bashku të realizojnë atë kombinacionin fitues që kjo reformë më së fundi të vijë dhe të elaborohet hap pas hapi në mënyrë që institucionet të dalin nga kjo gjendje ku etiketohen të korruptuara, ku edhe sondazhet qytetare duhet të merren në konsideratë dhe nga ana tjetër ajo ç’ka është më e rëndësishme, të dalin nga fokusi i sulmeve politike.

Nisur nga eksperienca e qytetarëve, nisur nga eksperiencat politike parlamentare, nisur edhe nga një eksperiencë e pakët e këtyre muajve, ju po e konstatoni që sulmet politike të ditës shpeshherë bëhen në një terren paragjykues, dhe për t’iu shmangur këtij terreni paragjykues, për të mbyllur ato hapësira ku i lihet vend edhe këtyre debateve, pikërisht të gjithë së bashku duhet të reformojmë kuadrin ligjor në mënyrë që askush, qoftë ky Presidenti i Republikës, që ka edhe detyrën e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, as Kryeministri, as Kryetari i Parlamentit, as institucionet kolegjiale, të mos kenë shans të marrin pozicione subjektive, por t’i kenë të gjitha të formatuara me ligj. Ky është qëllimi i reformës, ky është qëllimi që ne kërkojmë ta perfeksionojmë, nuk po bëjmë zgjidhje origjinale. Ajo që na kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë janë dy elementë shprehja e vullnetit politik dhe mbajtja e fjalës për të implementuar vullnetin politik në kuadër juridik. Kemi humbur shumë shanse në të parën; kjo është arsyeja që në mjaft takime kërkohet që të ikim nga fjalët dhe të kalojmë në vepra dhe e dyta, për t’i lënë një hapësirë të lirë komunitetit të juristëve për të zhvilluar debatin nga brenda. Pra sot mendohet që është një debat i hapur për t’u çliruar nga një pozicion i mbyllur dhe për ta hapur këtë debat në radhë të parë për publikun. Askush nuk mund të jetë statik në këtë shoqëri e cila kërkohet të bëhet dinamike, kërkohet që sa më shpejt të jetë e mundur të arrijë ato standarde që frazat që ne përdorim në një frekuencë të lartë për integrim të mos mbetin si fraza retorike. Integrohemi në shumë elementë, integrohemi në legjislacion, integrohemi në kapacitetet administrative, integrohemi duke sistemuar në mënyrë definitive institucionin e zgjedhjeve në Shqipëri, por pika e referimit mbetet ajo që konsiderohet bazale, reforma në sistemin e drejtësisë, që presupozon vendosjen e shtetit të së drejtës. Kjo është arsyeja që ky debat është i hapur, kjo është arsyeja që mbi bazën e një metodike që Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka ndërtuar dhe do të fillojë ta shpalosë hap pas hapi do të ketë komunikim në të gjithë Shqipërinë, qoftë ky në nivel të lartë profesional për të debatuar, qoftë një njeri i thjeshtë, i cili më shumë se intelektualët dëgjohet në emisionet e mëngjesit, secili në këndvështrimin e tij, në standardet shumë të larta të së folurës qytetare, që ka probleme dhe fokusi mbetet gjithmonë shteti i së drejtës.

Unë nuk dëshiroj të zgjatem, sepse hapësira e debatit është për ju. Unë dëshiroj t’ju falenderoj që jeni sot këtu dhe paraprakisht t’ju falenderoj edhe për atë predispozicion që ju e keni shprehur edhe në mënyrë individuale dhe secilit, kur iu është dhënë rasti për të folur, për të bashkuar të gjitha forcat, intelektuale, profesionale, por edhe vullnetin politik, i cili në mënyrë të natyrshme është tek gjithsecili, që t’i japin rrugë kësaj reforme që është e ndjeshme për të gjithë.

Në përfundim të diskutimeve Presidenti Topi u shpreh:

Unë dëshiroj t’ju falenderoj, në mënyrë të veçantë teknikën, e cila në fakt jo thjesht në mënyrë formale, por në një mënyrë shumë moderne ka marrë ekstraktin e fjalës të gjithësecilit prej pjesëmarrësve për ta paraqitur në mënyrë të menjëhershme në ekran. Kjo është një metodë moderne dhe këtu mund ta shikoni të gjithë që brenda tre orëve është thithur shumë mendim cilësor, sepse shpeshherë bëhen takime të zgjatura dhe pak memorizohen. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ajo që është akoma më e rëndësishme, këtë duhet ta konsiderojmë si hapin e parë të një debati publik, i cili nënkupton momentin më të rëndësishëm që ka drejtësia, transparencën, që mund të përkthehet si kontakti i drejtësisë me qytetarin, atë që u përdor si leitmotiv i gjithë këtij takimi nga të gjithë pjesëmarrësit që morën fjalën. Kjo presupozon që Këshilli i Lartë i Drejtësisë, jo me interes të segmentuar, por në bllok do të ndjekë, do të vazhdojë debatin për tërheqjen e mendimit të të gjithë komunitetit të juristëve e të qytetarëve në rrethet kryesore të Shqipërisë. Ky është një moment që ka nevojë të vlerësohet edhe këtu në sallë, por edhe nga pikëpamja psikologjike. Përfytyroni të gjithë juristët që janë kudo ku jetojnë qytetarë që kanë probleme me drejtësinë, të jenë pjesë e debatit, dhe në fund, ekstrakti që do të mbetet do të jetë vërtet shumë i rëndësishëm. Ne po e shohim nga pikëpamja metodike, dhe gjithmonë vendime të kësaj natyre janë gjithmonë relative. Dikush mund të thotë më pak, dikush mund të thotë më shumë. Ky debat i hapur, publik me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të juristëve, të personaliteteve të politikës, jo vetëm në një sens, por edhe të jetës institucionale të qyteteve, apo të zonave ku janë lokalizuar gjykatat dhe prokuroritë, do të vazhdojë për një periudhë disamujore. Dhe më e rëndësishmja është që ky debat duhet të jetë dominant edhe më tej, në një mënyrë ose një tjetër, është një thirrje shumë qytetare. Duhet patjetër që vlerat profesionale dhe juridike që ju keni, të gjenerojnë më tej këtë debat tek shoqëria dhe publiku. Sot, media padyshim është mediatori sikurse e ka edhe emrin, përcjellësi, ndërmjetësi më i rëndësishëm për të bërë të mundur që këtë debat që ne sot kemi në këtë sallë ta përcjellim në mënyrë frekuente, gati çdo ditë tek qytetari dhe për të ardhur në një fazë të natyrshme, që është në dinamikën e vet normale, që politika vendimmarrëse në Parlament, të arrijë që të jetë e bindur kur të marrë ato vendime dhe të mos jetë për arsye thjeshtë të një procesi mekanik, si pasojë e pozicioneve politike, por edhe për ta shprehur në mënyrë më të drejtpërdrejtë, të një politike partiake. Sot ka arritur puna që për drejtësi kanë nevojë të gjithë, nga drejtësia nuk do të shpëtojë asnjë individ.

Është një fenomen që e kemi të vështirë që ta absolutizojmë. Ai që mendon se mund ta fitojë drejtësinë, në një moment konjukture mund ta humbasë nesër. E dini pse vjen kjo? Vjen sepse ne për fat të keq në kohë të ndryshme kemi premtuar drejtësi dhe struktura të policisë së re mbi bazën e preferencave të strukturave politike. Duhet të dalim nga kjo situatë, pra vetë profesionistët duhet t’i japin një material gjysëm të gatshëm politikës, që natyrisht do të zhvillojë debatin e vet politik dhe do të marrë vendime të rëndësishme në Parlament, atje ku shprehet vullneti politik i popullit shqiptar. Populli shqiptar kërkon drejtësi, hajde ta realizojmë në mënyrë të qartë këtë lidhje të qënësishme të botës, të institucioneve të drejtësisë me Parlamentin shqiptar në mënyrë që vullnetet politike të shprehura më së fundmi, të jenë vullnete që konkretizohen dhe besoj që kjo do të vlejë shumë edhe për forcat politike, sepse zgjedhjet politike gjithmonë janë periodike, sa më shumë ta realizojmë këtë punë, aq më shumë do të rritet besueshmëria e forcave politike. Jo rastësisht sondazhet që bëhen në botën demokratike kanë një stad, flasim për botën demokratike të konsoliduar, ku politika mund të vlerësohet me nota shumë më të ulta sesa sistemi gjyqësor. Kjo tregon që pushteti gjyqësor në këto vende është mjaft i konsoliduar, por nuk është produkt i politikës së tij. Unë edhe njëherë ju falenderoj nga zemra dhe ju uroj sukses në këtë ndërmarrje që besoj se do jetë shumë aktive.

Faleminderit!

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›