E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti një përfaqësi të Akademisë së Shkencave.

10 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot një përfaqësi të Akademisë së Shkencave të përbërë nga Profesorët Sh. Demiraj, K. Frashëri, E. Sulstarova, J. Bulo dhe Dh. Haxhimihali, të cilët i shprehën disa nga shqetësimet e tyre si: hartimi nga qeveria i një projekligji të ri për Akademinë e Shkencave, diskriminimin që u bëhet lidhur me moshën e tyre të avancuar si dhe dekretimin e emërimit nga Presidenti i Republikës të Kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave.

Lidhur me problemin e projektligjit të ri, Presidenti Topi u shpjegoi akademikëve se në këtë fazë Institucioni i Presidentit nuk mund të jetë pjesë në proces. Kreu i shtetit i ftoi akademikët që në këtë moment të jenë pjesëmarrës aktivë në diskutimet racionale me qeverinë dhe parlamentin.

Përsa i përket çështjes së moshës, Presidenti i Republikës u shprehu pjesëmarrësve në takim ndjeshmërinë e tij lidhur me këtë problem dhe njëkohësisht vlerësoi maksimalisht figura të tilla akademikësh si Sh. Demiraj, K.Frashëri, I. Kadare, D. Agolli etj.

Për çështjen e dekretimit të emërimit të Kryetarit të Akademisë, Presidenti Topi, pasi theksoi se si në Kushtetutë, ashtu edhe në ligj nuk ka afate kohore për këtë emërim, u bëri të qartë të pranishmëve se Institucioni i Presidencës po ndjek procesin, duke bërë të gjitha konsultimet e nevojshme juridike dhe duke u angazhuar se në momentin e përshtatshëm do të japë edhe prononcimin e tij. Njëkohësisht, Presidenti Topi u bëri thirrje akademikëve për maturi në mënyrë që të evitohen prononcime emocionale në media, të cilat mund të fusin procesin në rrugë të gabuar.

Në fund të takimit të ngrohtë e miqësor, që zgjati rreth dy orë, akademikët e falenderuan Presidentin Topi për pritjen dhe angazhimin e tij personal në reformimin e Akademisë së Shkencave.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›