E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

29 tetor, 2007

Ohër,
Maqedoni.

Një takim të veçantë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi pati sot dhe me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti. Pas takimit, dy bashkëbiseduesit u shprehën për median:

Presidenti Topi: Pata kënaqësinë e veçantë që u takova me zotin Ali Ahmeti me të cilin diskutuam rreth temave mjaft të rëndësishme, që kanë të bëjnë me stabilitetin e institucioneve politike në Maqedoni, për ekuilibrimin dhe arritjen e standardeve demokratike në shoqërinë maqedonase, ku natyrisht jetojnë dhe duhet të jetojnë si qytetarë të vërtetë europianë edhe shqiptarët, edhe maqedonasit. Diskutuam rreth sfidave të rëndësishme, që presin dy vendet tona, sikurse është ajo më e shpejtë: integrimi në NATO, ku edhe Shqipëria, edhe Maqedonia presin një ftesë nga Samiti i Bukureshtit. Diskutuam edhe rreth problemeve të sfidave të integrimit, marrëdhënieve midis dy vendeve, qoftë në fushën ekonomike, qoftë në marrëdhëniet midis institucioneve, marrëdhënieve midis faktorëve politikë, sepse jemi të bindur që, vetëm rritja e përmasave të këtyre shkëmbimeve do të bëjë të mundur që në shoqëritë tona të ketë stabilitet, të krijohet një imazh i qartë i një stabiliteti, i cili do të influencojë gjithë rajonin tonë.

Diskutuam edhe për çështjen e Kosovës, ndamë të njëjtat pikëpamje lidhur me domosdoshmërinë e marrjes së statusit të Kosovës, i cili do të influencojë në sigurimin e një qëndrueshmërie më afatgjatë në rajon dhe që do të bëjë që aspiratat e të gjitha vendeve ballkanike të jenë pikërisht në familjen euro-atlantike. Me zotin Ahmeti, me të cilin kam pasur edhe kontakte të tjera, kemi diskutuar për çështje që preokupojnë jetën edhe të institucioneve politike. I kam kërkuar edhe zotit Ahmeti që të bëjë ç’është e mundur të forcojë dialogun politik edhe midis partive shqiptare, për të treguar që faktori shqiptar do të dijë të përballojë sfida edhe më të rëndësishme, të cilat janë janë shumë të pritura qoftë nga Shqipëria, qoftë nga shqiptarët, që banojnë në Maqedoni, besoj se edhe nga institucionet euro-atlantike.

Kryetari i BDI-së, Ahmeti: Ishte një kënaqësi që takova Presidentin e Shqipërisë dhe e falenderoj për kohën që më kushtoi, që dëgjoi edhe mendimet tona, pavarësisht se BDI nuk është më në pushtet, por që ka kontribuar jashtëzakonisht shumë gjatë katër viteve të kaluara në drejtim të ndërtimit të raporteve sa më të afërta midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kjo gjë duhet të vazhdojë pasi është e rëndësishme si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Kemi folur edhe për statusin e Kosovës, si dhe për angazhimet e përbashkëta, ku ne mund të japim kontribut në Maqedoni, në drejtim të Kartës së Adriatikut, që shpresojmë se Shqipëria, Kroacia e Maqedonia do të kenë një ftesë në Samitin e Bukureshtit, si edhe në drejtim të implementimit të standardeve, që Maqedonia sa më parë të ketë fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE. Por, sigurisht, që të njëjtat detyra e presin edhe Shqipërinë, sepse është në interes jetik për të dy vendet tona, por edhe rajonin që sa më parë të jemi pjesë e Europës së Bashkuar.

Gjithashtu, i garantoj zotit Topi që ne do përpiqemi të kemi një dialog të mirëfilltë jo vetëm me partitë politike shqiptare, por edhe me partitë maqedonase, që të bëjmë përpjekje të përbashkëta, sepse të ardhmen duhet ta ndërtojmë së bashku.

TV KLAN: A do takoheni me zotin Thaçi?

Kryetari i BDI-së, Ahmeti: Tanimë do të shohim, përderisa në parim përcaktuam që do të ketë një dialog serioz, që po kontribuon për të ecur përpara. Sigurisht që është një çështje kohe se si do rregullohet kjo çështje.

* * *

Presidenti Topi është takuar në mbrëmje edhe me Kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik Kombëtar, z. Hysni Shaqiri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›