E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja e Parë, Teuta Topi, viziton Shtëpinë e të Moshuarve në Kamëz.

26 tetor, 2007

Në kuadër të disa aktiviteteve të ndërmarra në mbështetje dhe përkujdesje për moshën e tretë, Zonja e Parë, Teuta Topi, vizitoi sot Shtëpinë e të Moshuarve në Kamëz.

Pasi është takuar dhe përshëndetur përzemërsisht me banorët e kësaj shtëpie, znj. Topi është interesuar për shëndetin dhe kushtet e jetesës së tyre, sidomos në prag të stinës më të ftohtë të vitit. Duke theksuar bindjen e saj për nevojën e një vëmendjeje të posaçme, përkrahjes materiale dhe shpirtërore për moshën e tretë, si nga shteti, ashtu edhe nga shoqëria, Zonja e Parë shprehu gatishmërinë e saj për tu angazhuar maksimalisht në këtë drejtim.

Znj. Topi garantoi se do të bëjë ç’është e mundur për të mbështetur e për të siguruar standarde për ata që, më shumë se kurrë tani, kanë nevojë për mbështetje dhe kujdes, për shkak të moshës dhe të kushteve, në të cilat kjo periudhë e jetës i ka gjetur. Në këtë kuadër, Zonja e Parë, Teuta Topi, dha sot një ndihmë personale për Shtëpinë e të Moshuarve në Kamëz, duke ofruar falas një kontigjent vaksinash kundër gripit, për këta banorë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›